Rebelët sirianë kanë rrethuar qytetin qendror të Sirisë, Hama, “nga të tre anët”, ka njoftuar një vëzhgues i luftës, pavarësisht nga kundërofensiva e nisur nga forcat qeveritare për ta mbajtur kontrollin e qytetit.
Hama ndodhet në mënyrë strategjike në Sirinë qendrore dhe për ushtrinë e presidentit Bashar al-Assad, është vendimtare për ruajtjen e kryeqytetit dhe selisë së pushtetit, Damaskut.
Luftimet rreth Hamës pasojnë një ofensivë nga rebelët të cilët brenda pak ditësh rrëmbyen nga kontrolli i presidentit një pjesë të territorit, veçanërisht qytetin e dytë më të madh të Sirisë, Aleppon.
“Rebelët kanë rrethuar qytetin Hama nga tre anët dhe tani janë të pranishëm në një distancë prej tre deri në katër kilometra nga ai”, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Çelësi i sukseseve të rebelëve që nga fillimi i ofensivës javën e kaluar ishte pushtimi i Aleppos, i cili në më shumë se një dekadë luftë nuk kishte rënë kurrë plotësisht nga duart e qeverisë.
Kreu i grupit rebel Hayat Tahrir al-Sham (HTS), Abu Mohammad al-Jolani, të mërkurën vizitoi kështjellën historike të Aleppos, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Imazhet e postuara në rrjete sociale treguan Jolanin duke përshëndetur qytetarët nga një veturë e hapur teksa vizitonte kështjellën.
Ndërsa rebelët në avancim gjetën pak rezistencë në ofensivën e tyre, luftimet rreth Hamës kanë qenë të ashpra.
Bëhet e ditur se al-Assad urdhëroi një rritje prej 50% të pagave të ushtarëve, duke kërkuar të forcojë forcat e tij për kundërsulmin.
Një burim ushtarak i cituar nga Sana kishte raportuar më herët për “betejat e ashpra” kundër rebelëve në provincën veriore të Hamës, duke shtuar se “aeroplanët luftarakë të përbashkët siriano-rusë” ishin pjesë e përpjekjes.
Ndryshe, rebelët filluan ofensivën e tyre më 27 nëntor, në të njëjtën ditë që një armëpushim hyri në fuqi në luftën midis Izraelit dhe Hezbollahut në Libanin fqinj.
Si Hezbollahu ashtu edhe Rusia kanë qenë mbështetësit kryesorë të qeverisë së Assadit, por kohët e fundit janë zhytur në konfliktet e tyre përkatëse.
OKB-ja ka njoftuar se 115,000 njerëz ishin “të zhvendosur në Idlib dhe Aleppon veriore” nga luftimet.
Ndërsa Observatori tha se dhuna ka vrarë 704 njerëz, kryesisht luftëtarë, por edhe 110 civilë.
Human Rights Watch paralajmëroi se luftimet “ngrenë shqetësime se civilët përballen me një rrezik real të abuzimeve serioze në duart e grupeve të armatosura të opozitës dhe qeverisë siriane”.
Deri javën e kaluar lufta në Siri kishte qenë kryesisht statike për disa vite, por analistët kanë thënë se dhuna do të ndizet pasi ajo nuk u zgjidh kurrë me të vërtetë. /Telegrafi/