Telegrafi

“Intelektualët” bojkotojnë Dritën, kërkojnë shkarkimin e Vavalis dhe drejtorit sportiv

Tifozët e Dritës, “Intelektualët” përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, kanë bërë të ditur se do të bojkotojnë ndeshjet e skuadrës së tyre të zemrës, deri në shkarkimin e trajnerit Akis Vavalis dhe drejtorit sportiv Valon Zymberi.

Sipas tyre, Vavalis dhe Zymberi janë fajtorët kryesorë për situatën aktuale në klub, teksa kujtojmë se Drita tashmë është dhjetë pikë larg liderit Ballkanit.

Reagimi i tyre ka ardhur menjëherë pas ndeshjes që Drita e humbi me rezultat minimal 1-0 në udhëtim ndaj Prishtinës në kuadër të javës së 15-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

“Përkundër dëshpërimeve të njëpasnjëshme, tash e tre sezone radhazi, ne kemi heshtur e nuk jemi ankuar, kemi qenë prezent e kurrë s’kemi munguar, duke besuar në profesionalizmin dhe seriozitetin e klubit, por tanimë situata ka arritur në kulminacion!”.

“Intelektualët 1998 deklarohen në bojkot nga sot deri në shkarkimin e trajnerit Akis Vavalis dhe drejtorit sportiv Valon Zymberi, që në sytë e gjithë tifozërisë dhe qytetit janë fajtorët kryesorë pse DRITA nuk po bën dritë e nuk po arrin qoftë edhe dy fitore rradhazi, pa folur për objektiva më madhorë që as nuk po shihen si të mundshëm në horizont!”.

“Nuk është aspak çështje rezultatesh apo trofesh, sepse Intelektualët kanë qenë aty, edhe në periudha tre vjeçare me barazhe, në lufta për mbijetesë e edhe në liga më të ulëta. Sepse ne asnjëherë nuk kemi qenë tifoz të sukseseve apo kupave, por vetëm të DRITËS. Kemi qenë aty, të zëshëm e të pandalshëm, edhe kur skuadra nuk fitonte kurrë e nuk i kishte as 10 pikë në renditje, por tani mjaft, sepse niveli ynë i përkrahjes, fanatizmi i qytetit pas DRITËS dhe dashuria e bartur nga gjyshërit te nipat për emblemën 1947, nuk meriton të njolloset nga paaftësia e një njeriu që ka ngatërruar edhe sportin, apo paaftësia e një trajneri që ka ngatërruar edhe vendin!”.

“Andaj, nga sot bojkotojmë tribinën deri në reflektim. Përzgjedhjen le t’a bën klubi. Ose ne ose Vavalis. Ose ne ose Zymberi. Por, paraprakisht dijeni se përgjegësi për veprimet e mundshme nuk i marrim më ne, përderisa nuk merren masa shkarkimi ndaj personave në fjalë. ULTIMATUM!”, kanë shkruar Intelektualët në reagimin e tyre./Telegrafi/