Telegrafi

Intel shpik bartjen super të shpejtë të dhënave

Sistemi i emëruar “thunderbolt” do të mundësojë shpejtësi dyfish më të madhe të bartjes së dhënave nga standardi i tanishëm USB 3.0, por fillimisht nuk do të funksionojë në maksimumin e vet teorik, sepse do të bazohet në telat e bakrit, e jo në kabllot optike.

Intel thekson se shpejtësia e rritjes së punës së sistemit do të rritet ngadalë.

Apple do të jetë prodhuesi i parë i kompjuterëve i cili do të shfrytëzojë sistemin “thunderbolt” në kompjuterët e vet Macbook Pro, raporton transmetuesi britanik BBC.

Intel e ka zhvilluar këtë teknologji me vite, e për herë të parë ishte paralajmëruar më 2009.

Në fillim të zbatimit të saj shpejtësia e bartjes së dhënave do të kufizohet në 10 gigabit në sekondë, që është dyfish më shpejt se standardi USB 3.0.

Kompania pohon se versionet e ardhshme do të mund të arrijnë shpejtësinë prej 100 gigabit në sekondë.

Kjo bartje e shpejtë e të dhënave do t’u hyjë në punë veçanërisht përdoruesve të video incizimeve me definicion të lartë, ka thënë Sarah Rotman Epps, analiste e kompanisë Forrester Research. /Telegrafi/