Pas lajmit se autoritetet shëndetësore gjermane po shqyrtojnë seriozisht pretendimet se Instituti i Gjenomikës së Pekinit (BGI) po abuzon me materialin gjenetik të mbledhur nga testet para lindjes për kërkime ushtarake, autoritetet në Serbi, ku kompania kineze është e pranishme përmes dy laboratorëve, po heshtin.
Në një tekst të botuar më 7 korrik, Reuters deklaroi se BGI kineze, e cila shet teste jo-invazive para lindjes NIFTY në të gjithë botën, zhvilloi testet në bashkëpunim me ushtrinë e atij vendi.
Në artikull, Reuters iu referua rishikimeve të punimeve shkencore dhe deklaratave të ndërmarrjeve.
Testet jo-invazive para lindjes zbulojnë anomali të fetusit në shtatzëni, siç është Sindromi Down, raporton rel (në gjuhën serbe).
Laboratorët u ndërtuan në bazë të një marrëveshje të nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Serbisë me Institutin e Pekinit për Kërkime Gjenetike (BGI).
Sipas një deklarate të vitit 2020, Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë të Serbisë, Berislav Vekiq, projekti i dy laboratorëve vlen 710,000 euro, nga të cilat Republika e Serbisë mori pjesë me 140,000, duke blerë 90,000 teste. Pjesa tjetër është një donacion nga pala kineze.
Por, dy degët e BGI-së janë renditur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara që nga korriku i vitit 2020 për shkeljen e të drejtave të njeriut të komunitetit mysliman të pakicës Ujgure në Kinë.
Këto janë kompanitë Xinjiang Silk Road BGI dhe Pekin Liuhe BGI. Siç deklaroi Departamenti i Tregtisë i SHBA-së në atë kohë, ata ishin në listën e zezë për ndihmën e dhënë në kryerjen e “analizave gjenetike për shtypjen e mëtejshme” të Ujgurëve dhe anëtarëve të pakicave të tjera Myslimane në Kinë. /Telegrafi/