Telegrafi

Institucionet në Lipjan prej vitesh përballen me raste të shpeshta të vandalizmit

Institucionet komunale në Lipjan prej vitesh po përballen me raste të shpeshta të vandalizmit derisa po dëmtohen asetet publike si shenjat e komunikacionit, drunjtë dekorativë, shportat e mbeturinave, ulëset e të tjera. Së fundi në këtë qytet është dëmtuar edhe baza e sinjalit të ndriçimit publik tek shtegu i ecjes përgjatë lumit Sitnica. Rreth kësaj çështje të mërkurën kanë reaguar qytetarët, shoqëria civile që monitoron zhvillimet në Lipjan por edhe institucionet komunale.

Bekim Krasniqi, drejtor në organizatën “YAHR” në Lipjan, ka thënë për Telegrafin, se rastet e vandalizmit në Lipjan janë shpeshtuar në masë të madhe gjatë viteve të fundit, andaj ka ftuar organet komunale të marrin masa në identifikimin e personave përgjegjës.

“Shpeshherë e vërejmë se grupe të rinjsh dalin në orë të vona dhe pas mesnatës duke qëndruar nëpër parqe e sheshe ndërkohë po dëmtohen edhe asetet publike. Ne si OJQ, pas ankesave të shumta të qytetarëve i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të angazhohen dhe t’i gjejnë personat që kryejnë vandalizëm të tillë. Këto grupe, që shumë prej tyre janë edhe adoleshent, nuk kanë arsyeje të qëndrojnë pas mesnatës nëpër rrugë të qytetit. Si organizatë edhe në të kaluarën kemi kërkuar nga institucionet që të rritet numri i kamerave të sigurisë nëpër rrugët e qytetit dhe nëpër sheshe e parqe sepse kjo e rritë më shumë nivelin e sigurisë dhe identifikimin e kryersve të veprave të tilla”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Komuna e Lipjanit.

“Dëmtimi i qëllimshëm i ormanit të rrjetit të ndriçimit publik në shtigjet e ecjes në Lipjan nga persona të pandërgjegjshëm dhe aseteve publike është dukuri shqetësuese. Ky akt vandal dëmton rëndë infrastrukturën publike dhe njëherësh rrezikon sigurinë e qytetarëve tanë. Andaj, ftojmë organet përkatëse që të ndërmarrin masa për identifikimin dhe ndëshkimin e personave të pandërgjegjshëm, të cilët po dëmtojnë pasurinë publike. Ruajtja e pasurisë publike është një përgjegjësi kolektive, bashkë mund të mbrojmë dhe zhvillojmë komunitetin tonë”, thuhet në reagimin e Komunës. /Telegrafi/