Site icon Telegrafi

Ingrid Gjoni thotë: “Më fal”

Intervistoi: Gentian Minga

Ingrit Gjoni na rrëfen në intervistën e mëposhtme detajet nga realizimi i hitit më të fundit, si dhe historinë e dashurisë, e cila zgjat prej më shumë se tre vitesh…

Kujt i thotë Ingriti "Më fal o zemër" në videon e saj më të fundit?
E kam thënë gjithmonë dhe e përsëris se unë nuk jam autore tekstesh dhe nuk më pyet njeri (qesh). Kur shkruajnë diçka që ta këndoj unë, më pyesin nëse më pëlqen, nëse e gjej veten në tekst dhe e kam më qejf për ta kënduar. Mua më mbetet vetëm të them "po" ose "jo".

Sikur të të ofronin të këndoje një tekst ku një vajzë i shpreh dashurinë një tjetre, do kishe pranuar apo do kishe refuzuar?
Do pranoja, pse jo? Kjo ka të bëjë edhe me komercializëm …

Po pastaj do të detyroheshe të realizoje një klip ku ti puth një femër …
Nuk do të kishte qenë një problem i madh, sepse tek e fundit unë kam mbaruar shkollën për aktore, kështu që ma lejon edhe profesioni … Por nuk më ka shkuar në mendje një gjë e tillë. Për sa i përket asaj pjesës së tekstit ku unë them "më fal o zemër, më fal o shpirt", unë s’kam fare gisht në të. Më ka ardhur gati demoja e këngës dhe mua më pëlqeu si teksti, ashtu edhe muzika.

Ti i je drejtuar ndonjë djali me këto fjalë, i ke kërkuar ndonjërit falje?
Po kjo është diçka më se normale, sepse në dashuri nuk ka as kushte dhe as rregulla. Herë u kam kërkuar falje, herë më kanë kërkuar. Është diçka reciproke dhe ndodh në një marrëdhënie. Atëherë kur duhet egoja lihet mënjanë dhe kërkon falje natyrshëm, siç edhe zgjedh ta falësh tjetrin nëse ka bërë ndonjë gabim. Edhe këngët nuk bëhen ashtu kot, tekstshkruesit bazohen në një ngjare nga jeta e përditshme kur shkruan. Janë gjëra që ndodhin në jetën e gjithkujt.

Pjesa dërrmuese e këngëve i kushtohen dashurisë. Pse i këndohet kaq shumë dashurisë?
Po kujt t’i këndojmë, vetes? I kemi kënduar edhe vetes tashmë. “Jam kjo” e “jam ajo” (qesh).

Meqë po flasim për muzikën, cilën prej prurjeve të reja do të veçoje ti?
Jo se është kompozitori im, por këngët e Florit kanë bërë goxha bujë dhe janë pritur mirë nga publiku. “Playback” apo “Next” janë dy nga këngët më të dëgjuara, për të mos folur për të gjitha hitet që ka kompozuar për artistët tjerë. Më pëlqen edhe kënga e Aurelës “Origjinale”, si dhe “Rock this club”, e këngëtares Dafina Zeqiri.

Nuk bëhesh ndopak xheloze që Dafina ka një klip të bukur në anglisht?
Jo, s’jam xheloze, përndryshe nuk do t’i përmendja fare këto këngë. Pastaj, mendoj se Dafina mund ta përfaqësojë vendin tonë në tregun ndërkombëtar të muzikës më mirë se të gjitha. Mund të ketë këngëtare më të mira nga ajo, por asnjë nuk interpreton aq bukur sa Dafina. Është, për mendimin tim, përfaqësuesja më e denjë e muzikës R&B në Shqipëri.

Është e vërtetë se porsa i përket muzikës rep dhe R&B, artistët e Kosovës janë më përpara nesh?
Ndoshta, sepse ata kanë qenë më përpara nesh në shumim drejtime, kanë pasur më tepër këmbime me botën. Edhe njerëzit kanë më tepër kulturë dhe informacion për muzikën krahasuar me ne.

Kam kuptuar se Kosova të do dhe të pëlqen. Është reciproke?
Patjetër! Jo se iki nesër në Pejë, por është qyteti ku ndihem më mirë në Kosovë. Në Shqipëri klubet janë më të bukura dhe më të shumta në numër, por më pëlqen shumë edhe atmosfera që krijohet në klubet e Prishtinës.

Në Kosovë më bëri përshtypje se dëgjoheshin hite si "Puçi, puçi" apo "Vitamina", të cilat këtu te ne mund të cilësohen të vjetra: Artiste si ti, Çiljeta, Rozana Radi apo Zajmina ishin shumë të preferuara atje.
Më vjen mirë që ke qenë një dëshmitar i këtij fakti, pasi thënë nga ne është krejt ndryshe. Në Kosovë vërtet që na kanë pritur gjithmonë shumë mirë, paçka se nuk kam shkuar shpesh, se kam inat udhëtimet. Por, tani që fluturimet për në Prishtinë janë të përditshme, është më ndryshe, më e rehatshme dhe shkoj më shpesh në Prishtinë.

Duke pasur parasysh gjithë këtë sukses dhe simpati që gëzon në Kosovë, pse nuk shkon të jetosh dhe punosh atje?
Sepse nuk mund të rri dot larg qytetit, familjes dhe shoqërisë në Tiranë. Unë kam qenë në zemër të Manhatanit dhe atje më propozuan plot gjëra konkrete, që të rrija e të kisha një punë të sigurt, por refuzova. Nuk e imagjinoj dot të jetoj përgjithmonë në Kosovë, mbase 2-3 muaj.

Mesa shoh, puna nuk të mban dot në Prishtinë. Po të ishte ndonjë djalë në këtë mes do e sakrifikoje Tiranën për t’i qëndruar pranë?
Nuk e di, nuk mund të flas apriori për diçka që nuk e kam provuara (buzëqesh).

Deri në ç’pikë do kishte sakrifikuar Ingridi për dashurinë?
Deri në atë pikë që do ta kërkonte dashuria!

E sikur të zinte qymyri me ndonjërin që punon mjek vullnetar në Afrikë, do ta kishit ndjekur pas?
Pse jo, nuk më duket ndonjë sakrificë e jashtëzakonshme. Pastaj, jam tip që bëj atë që dua!

Do të ishe e gatshme të jetoje në një shtëpi prej kashte vetëm për të, larg qyteteve moderne me pabe dhe "Me Donalds"?
Këto nuk kanë lidhje fare, se pabet nuk i pëlqej as tani që i kam. Më kanë ardhur në majë të hundës çdo natë duke kënduar.

Këtë gjë e dëgjoj shpesh në biseda me miqtë. Pse me kalimin e viteve dëshira për jetë nate largohet, si mendon?
Kam përshtypjen se ka çdo moshë ato dëshirat e veta. Përveç kësaj, duke pasur një jetë kaq të ngarkuar dhe me impenjime, s’ ke më atë qejfin e dikurshëm për të dalë.

Sa kohë ke që nuk del më si dikur?
Bëhen rreth pesë vjet që, përveçse kur ka ndonjë sebep, nuk shkoj në pab. Vetëm kur ndonjë i afërt apo mik ka ditëlindjen, përndryshe më pëlqen të rri në shtëpi shtrirë e të shoh televizor.

Çfarë të pëlqen të shohësh në televizor?
Më pëlqen të dëgjoj muzikë të mirë; duhet ta di për çfarë flet filmi që ta ndjek. Më pëlqejnë filmat romantikë, por edhe ata horror, vetëm se dua të jem me njerëz kur i shoh se jam frikacake (qesh) .

Thonë se suksesi është më i vështirë për t’u mbajtur, sesa për t’u arritur. Bie dakord me këtë thënie?
Po, është më se e vërtetë. E kam diskutuar edhe me koleget e mia këtë dhe kemi rënë dakord se të qëndrosh në treg është e vështirë. Unë, për aq kohë sa do dua të jem në ekran, e kam fituar një vend për veten dhe do të tërhiqem kur të dua unë. Kanë dalë dhe shumë artistë të rinj, por ne që kemi krijuar një emër kemi vendin tonë sidoqoftë.

Dhe këtu dalim tek ajo shprehja që thotë: "Duhet të punosh fort për emrin, pastaj emri do të punojë tërë jetën për ty".
Edhe kjo është e vërtetë, të paktën nisur nga përvoja ime.

Si shkon jeta personale?
Mund të them se po kaloj momente shumë të mira. Jam me personin që e dua prej tashmë tre vjetësh e gjysmë. Ndihem mirë në krah të tij, kaq!

/Telegrafi/

Exit mobile version