Telegrafi

Informimi i familjes nga shkolla për parandalimin e dhunës ndërmjet nxënësve

Mr.sc.Vlora Sylaj
vlora.sylaj@gmail.com
Universiteti i Prishtinës
Fakulteti Filozofik

Mosha shkollore pa dyshim se është fazë shumë e rëndësishme për zhvillimin të drejtë e pozitiv të fëmijëve si individ dhe qytetarë. Kjo bënë të domosdoshëm kujdesin ndaj tyre në përgjithësi, plotësimin e nevojave të tyre zhvillimore dhe asaj për siguri. Duke plotësuar këto nevoja, ne bëjmë që të kemi nxënës – qytetarë të shëndoshë dhe të përgjegjshëm, sigurisht.

Dhuna ndërmjet nxënësve në shkollë është një fenomen i pranishëm në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Është problem global i cili ka prekur të gjitha kontinentet. Kjo dhe është arsyeja pse janë bërë studime të shumta, sidomos ne SHBA, të cilat studime rekomandojnë bashkëpunim maksimal ndërmjet shkollës dhe familjes për parandalimin e saj.Historikisht, shkolla, familja dhe komuniteti shërbyen si shtyllë kryesore e shoqërisë kosovare. Edhe sot, bashkëpunimi shkollë-familje është sa aktual aq dhe i rëndësishëm si për mësimdhënës ashtu edhe për familjen dhe komunitetin. Sidomos në këtë kohë, kur e dimë se assesi shkolla nuk mundet dot t’ia dal e vetme me nxënësit, në këtë rrugë të gjatë ku shkolla është okupimi kryesor në rreth 13% të 18 viteve të para të jetës. Në bashkëpunim të shkollës dhe familjes në përgjithësi e në veçanti për parandalimin e dhunës ndërmjet nxënësve, faktorë shumë i rëndësishëm janë informacionet që familja duhet marrë nga shkolla.

Arsyet e informimit të familjes nga shkolla
Kemi arsye të shumta për informim të familjes nga shkolla, duke filluar nga njohja e familjes me detyrat dhe detyrimet në shkollë; njohja familjes për rëndësinë e bashkëpunimit me shkollën dhe mundësitë e shumta në këtë drejtim; informacionet për arritjet e nxënësit, sukseset, sjelljet, prirjet e veçanta; informimi për ndryshimet eventualisht emocionale të fëmijës në shkollë; informacionet për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në shkollë, informimi i familjes për organizimin e vizitave të ndryshme të shkollës, ekskursioneve e shumë e shumë arsye të tjera. Shkollat duhet t’i informoj prindërit e tyre edhe për standardet dhe lidhjen e tyre me programin mësimorë, objektivat mësimore, metodat e vlerësimit, programet shkollore, kodin e disiplinës dhe progresin e nxënësve. Shohim, se informimi qenka një proces i cili fillon nga regjistrimi fëmijës në klasë të pare dhe vazhdon deri në përfundim të shkollimit të fëmijës-nxënësit.Informimi i familjes nga shkolla për dhunën ndërmjet nxënësve
Shkolla, përpos informacioneve që duhet ofruar familjes për arritjet, detyrat, detyrimet e nxënësve, e shumë të tjera, ajo duhet të mbajë familjen të mirë informuar edhe për çdo ndryshim në sjelljen e fëmijës në raport me mësuesi dhe nxënësit e tjerë.

Në mungesë të informimit të familjes nga shkolla, familja mund të ketë informacione të pakta ose fare për dhunën eventuale ndërmjet nxënësve në shkollë. Prandaj, është me rëndësi që nga shkolla t’i jepet informacioni familjes se ka ndodhë dhuna, por edhe më e rëndësishme është të ofroj informacione asaj edhe nga fusha e parandalimit të dhunës ndërmjet nxënësve, siç thotë thënia “Më mirë të parandalojmë se sa të shërojmë”.

Zakonisht, shkolla familjen e informon për dhunën ndërmjet nxënësve pasi të ketë ndodhur ajo. Strategji kjo e gabuar. Pastaj, mund të jenë të habitur prindërit, pse shkolla të takohet me ata kur nuk është fëmija tyre i dhunshëm. Sigurisht, shkolla duhet të bashkëpunojë me të gjitha familjet në parandalim të dhunës. Kur shkolla bashkëpunon me familjen për parandalim të dhunës ndërmjet nxënësve, kjo sigurisht reflekton tek nxënësit. Studiuesit e çështjes së dhunës ndërmjet nxënësve në shkollë kanë gjetur se fëmijët të cilët perceptojnë se prindërit e tyre kanë udhëzime të qarta nga shkolla për dhunën ndërmjet nxënësve, strukturë, përkujdesjen dhe mbështetjen e tyre, ishin dukshëm më pak të përfshirë në dhunë me moshatarët. Prandaj, bashkëpunim i shkollës dhe familjes, nuk guxon të fokusohet vetëm tek familja fëmijët e së cilës janë të dhunshëm, ajo duhet bashkëpunoj në drejtim të parandalimit me të gjitha familjet, por sigurisht se bashkëpunimi më i theksuar është tek familjet fëmijët e së cilës janë agresiv a të dhunshëm.

Gjatë këtij bashkëpunimi, informacionet e mjaftueshme që merr familja nga shkolla dhe punën që ajo bënë për parandalimin e dhunës ndërmjet nxënësve, në këtë mënyrë dhe vetëm sa thellohet bashkëpunimi mes familjes dhe shkollës. Të dy, profesionalizmi mësuesve dhe njohuritë e prindërve për fëmijët e tyre mund të hapin rrugë për një partneritet efikas në këtë drejtim.

Si për familjen, ashtu dhe për shkollën është shumë e rëndësishme të merren informacione të duhura për personalitetin e nxënësin nga familja, sepse, mësuesit duke marrë informacione nga familja, në këtë mënyrë ata marrin edhe domethënien e tyre. Kështu, mësuesi peshon informacionet nga familja me njohuritë e tija duke u mbështetur në tri pika referente: përvojën e tyre brenda familjes së tyre, familjet me të cilat kanë punuar në të kaluarën, njohja e gjatë e fëmijës ose familjes së caktuar. Duke krahasuar informacionin kundër një ose më shumë nga këto pika referente, mësuesit fillojnë të kuptojnë familjet me të cilat ata punojnë. Duke njohur familjet me karakteristikat e tyre, shkolla qaset më drejt në bashkëpunim me familjen përkatëse për parandalimin e dhunës.

Mundësitë e informimit të familjen nga shkolla për parandalimin e dhunës ndërmjet nxënësve
Kur flasim për informimin e familjes nga shkolla në parandalimin e dhunës ndërmjet nxënësve, ekzistojnë këto mundësi në këtë drejtim:
 Shkolla duhet të informojë familjen për rregullat shkollore të cilat vlejnë për nxënësit. Gjithashtu, ajo duhet informojë atë edhe për dënimet ndaj nxënësit në rast ushtrimi të dhunës tek nxënësit tjerë.
 Shkolla, të informojë familjen se ajo ka programe adekuate për trajtimin e dhunës ndërmjet nxënësve. Familja me marrjen e këtij informacioni shkollën e sheh si profesioniste në këtë drejtim, dhe kështu rritet besimi ndaj saj, sigurisht, dhe nxitet për bashkëpunim në drejtim të parandalimit të dhunës.
 Një mundësi shumë e mirë për parandalimin e dhunës ndërmjet nxënësve është edhe informimi i familjes për organizimin e takimeve të veçanta të shkollës me familjen për parandalim të dhunës mes nxënësve, ku familja merr informacionin e duhur në këtë drejtim. Shkolla, jo të reagoj e ftoj familjen vetëm pasi ajo-dhuna të ketë ndodhur.
 Madje jo vetëm kaq. Shkolla duhet të organizoj debate, tryeza, seminare, tribuna, kurse, apo mundësi të tjera, për të diskutuar dhe dhënë informacione të rëndësishme me familjes për parandalimin e dhunës mes nxënësve.
 Shkolla duhet të kryej trajnime dhe programe (vizita në shtëpi) me prindërit për dhënien informacioneve atyre me shprehitë e prindërimit dhe mënyrat alternative të disiplinimit të fëmijëve.
 Një preventivë parandaluese është edhe udhëzimi i familjes për lexim të literaturës në këtë drejtim. Shkolla duhet informuar familjen për botimet lidhur me teknikat alternative të disiplinimit të fëmijëve që sfidojnë filozofinë dhe refleksologjinë e përdorimit të dhunës ndërmjet nxënësve.
 Shkolla, gjithashtu mund t’i ofrojë familjes informacion specifik lidhur me aktivitetet që ata mund të bëjnë me fëmijët jashtë shkollës për parandalim të dhunës ndërmjet nxënësve.
 Mësuesit mund të japin informacione të dobishme dhe për krijimin e mjedisit në shtëpi që nxitë sjelljen pozitive të fëmijëve, të tilla si caktimi kohës për detyrat e shtëpisë, të angazhohen në lexim në kohën e lirë dhe duke eksploruar tema mësimore të mëtejshme, si dhe kufizimi kohës duke shikuar televizion ose duke luajtur video-lojëra. /Telegrafi/