Telegrafi

Infertiliteti bashkëshortor

Dr. Dërgut Aliu
gjinekolog-obstetër

Subfertiliteti është aftësia e ulët për të mbetur shtatzënë në krahasim me aftësinë normale riprodhuese.

Te gratë që kanë përdorur një kohë kontraceptiv oral/parenteral, fertiliteti rikthehet pas 15/18 muajsh, ndërsa gratë mbi moshën 35 vjeçare e kanë shumë më vështirë ta rikthejnë fertilitetin pas përdorimit të kontraceptivëve.

Koncepcion d.m.th. të arrihet shtatzënia. Shkalla e koncepcionit të suksesshëm te çiftet që në mënyrë aktive tentojnë të kenë fëmijë, sillet rreth 20-25% për muaj. Ky proces biologjik nuk është gjithmonë aq i thjeshtë meqë marrin pjese sistemi riprodhues mashkullor edhe ai femëror.

Infertiliteti si gjendje e tillë nuk e kërcënon jetën, por paraqet gjendje të vështirë për ta përballuar si në aspektin emocional ashtu edhe financiar.

1/3 e rasteve të infertilitetit mbesin të pashpjeguara ku shkaku/faktori është i panjohur ose kemi faktorin multiple (shumë shkaktarë), 1/3 i takojnë faktorit mashkullor, ndërsa 1/3 i takojnë faktorit femëror.

Faktori mashkullor:

1) Çrregullimet e spermatogjenezës ku përfshihen rënia e vëllimit te spermës, numrit te spermatozoideve, lëvizshmëria e tyre dhe aftësia për fekondimin e qelizës vezës. Varikocela (zgjerimi i venave në testikuj) numëron rreth 40% te rasteve me zvogëlim të numrit të spermatozoideve, trajtimi i kësaj gjendjeje është kirurgjik. Problemet gjenetike (të lindura) numërojnë 6% te rasteve të infertilitetit mashkullor si mungesë e hormoneve apo receptorëve të tyre etj.

2) Çrregullimet e traktit seminal si mbyllja apo përdredhja e vazave deferente që e bartin spermën prej testikujve jashtë, pra shkaktojnë çrregullime të ejakulimit, kjo mund të jetë e përkohshme-infeksioni apo e përjetshme prerja (kirurgjike).

3) Infeksioni – sëmundjet ngjitëse seksuale (STS): klamidija, herpesi gjenital, gonoreja sifilizi.

4) Disfunksioni seksual: erektil (impotenca) dhe ejakulatore. Këto gjendje që hasen te çrregullimet psikike, diabeti, lëndimet e boshtit kurrizor.

Faktori femëror

1) Anomalitë kongjenitale(të lindura të mitrës) dhe defektet e fituara-vragë, tumor polip në muret e saj, pengojnë implantimin, pra shtatzëninë.

2) Endometrioza e cila edhe shpien në infertilitet. Kjo ndodh kur qelizat e endometrit, mbështjellësit të brendshëm të mitrës, dalin jashtë mitrës dhe aty depozitohen. Simptomet më të veçanta janë: dhimbje barku, menstruacione të bollshme, gjakderdhje në mes të ciklit dhe infertilitet. Besohet se mënyra se si shkaktohet infertiliteti në këtë rast është dëmtimi i vezoreve dhe tubave të mitrës nga ky shkaktar. Endometrioza humbet pas menopauzës dhe zbehet pas një barre në termin (pas lindjes).

3) Faktori tubar: fertilizimi ndodh në tuba, çdo lëndim dhe vragë në to i cili trashë apo prish kualitetin e mureve të saj të ndjeshme, do të vështirëson edhe fertilizimin. Këto dëmtime mund të shkaktohen nga disa shkaktarë:
-zorra e verbër e pëlcitur (apendiciti i perforuar)
– intervenimet kirurgjike në tuba
-SST (sëmundjet seksuale transmisive)
-abortet e komplikuara (septike)
– përdorimi i gjatë i IUD (si kontraceptivë)

4) Faktori cervical: ndryshimet në qafen e mitrës dhe ndryshimet në mukusin cervical bëjnë që spermatozoidet më pak të depërtojnë nëpër qafën e mitrës dhe bëjnë që ata të jenë më pak të qëndrueshëm në traktin riprodhues femëror. Arsye mund të jetë estrogjeni si hormon i ulët dhe antitrupat antispermatozoid që janë lloj i proteinave të cilat i prodhon organizmi, këtë rast i femrës ndaj qelizave të mashkullit.

5) Faktori vezor: anovulacionet, mos lirimi i qelizës vezë së pjekur nga vezorja mund të ndodhë për shumë arsye: mosha, fertiliteti femërore bie pas moshës 30 vjeçare, ndërsa rapid bie pas moshës 40 vj. Pra 1/3 e grave që tentojnë të kenë fëmijë kah mesi dhe fundi i 30-tave do të përballen me probleme të infertilitetit. PCO sy ose vezoret policistike, atëherë kur shumë qeliza vezë rriten, por asnjë nuk arrin të piqet, pra ato qeliza të papjekura shndërrohen në mikrocista.

Menopauza e hershme kur për arsye gjenetike ose infeksioneve të rënda të më hershme të pelvikut, rrezatimet, artriti rheumatoid LES (lupusi sist.) vjen deri te plakja e vezoreve.

Ndryshimet hormonale në gj. mbiveshkore, gj.tireoide, hipofizë, hipotalamus mund të çrregullojnë nivelin e disa hormoneve në gjak duke çrregulluar edhe punën e vezoreve.

Rënia e sasisë së progesteronit mund të shkaktojë çrregullim të fazës luteale, ashtu që endometriumi, mbështjellësi i brendshëm i mitrës nuk është i gatshëm të pranojë dhe ushqejë shtatzëninë.

Hapat që ndërmerren gjatë evaluimit të çiftit infertil:

-ekzaminimi komplet i të dy partnerëve, eliminimi i infeksionit
-analiza e spermës-mashkulli
-analiza e punës së vezoreve(detektimi i ovulacionit), evaliumi i tubave uterine dhe zgavrës së mitrës

Pas trajtimit të duhur me hormone te rënia e nivelit të tyre, antibiotikë në rast të infeksionit, kirurgjik në rast të defekteve strukturale, mbetet që çiftet infertile t’i nënshtrohen trajtimeve më të specializuara ose të mos i nënshtrohen fare atyre meqë këto trajtime bëhen në qendra te specializuara, kushtojnë dhe të përsëritshme.

Trajtimi:

IUI-Inseminimi intrauterine është duke u zbatuar qe shumë vite te çiftet infertile, kur kemi disa shkaqe të caktuara të infertilitetit, si çrregullime të spermatogjenezës apo disfunksionit seksual te meshkujt ose faktorin cervical te femrat ose te të dy partnerët njëkohësisht. Në IUI sperma e koncentruar dhe e përpunuar, qoftë nga partneri apo sperm donori, futet direkt në mitrën e gruas përmes tubit të hollë (nga vagina).

ART-Teknikat e riprodhimit të asistuar kanë filluar zbatimin e tyre viteve të 80-ta kur përparimet shkencore përmirësuan edhe mënyrat e trajtimit të infertilitetit. Këto teknika mundësojnë bashkimin e qelizës vezë (te femrës) dhe spermatozoidit (të mashkullit) dhe qelizën e fertlizuar (ose disa qeliza të fertilizuara) e kthejnë në mitrën e femrës.

Teknikat më të shpeshta të ART janë:
ICSI (Intracytoplasmic sperm injection) është metodë që përdoret në më se 50% te rasteve të trajtimit me ART, kur një qelizë e vetme (spermatozoid) e shëndoshë, aktive, izolohet dhe injektohet në qelizën vezë. Pas disa ditësh, qeliza të tilla të fertilizuara kthehen në mitrën e femrës dhe ato tjerat që nuk kthehen mund të ruhen me ngrirje për përdorim të mundshëm. 

IVF (in vitro fertlilization) është metodë kur disa qeliza vezë të femrës fertilizohen me spermatozoidët e partnerit të saj apo donorit të spermës në epruvetë dhe disa embrione të tilla (2-4) kthehen në mitrën e femrës.

GIFT (gamete intrafallopian transfer), ZIFT (Zygote intrafallopian transfer), TET (Tubal intrafallopian transfer) janë metoda më të ndërlikuara dhe më të shtrenjta, sepse kërkojnë laparaskopi dhe anestezi të përgjithshme.

Ka edhe gra të tilla që mbesin shtatzënë me ART, por nuk mund të përfundojnë barrën dhe një numër shumë i vogël i tyre (1%) vendosin të zgjedhin nënë surrogate, femër e shëndoshë e cila pajtohet të mbajë barrën e çiftit dhe t’ju lejojë atyre të gjitha të drejtat prindërore ndaj fëmijës.