Site icon Telegrafi

Infeksioni i virusit të frymëmarrjes (RSV) tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël

Dr.Dr. med. Halil Krasniqi,
Ekspert i shëndetësisë

Aktualisht virusi RS është i përhapur në tërë Evropën dhe zakonisht në Gjermani. Ky virus është më tepër sezonal, por në tre muajt e fundit infeksioni është ngritur 500 herë më tepër se zakonisht.

Udhëheqësit e klinikave të fëmijëve raportojnë për përmbushjen e shtretërve me fëmijë të cilët janë duke u trajtuar nga Virusi Respiratory-Syncytial. Që nga nëntori është duke u rritur numri i infeksioneve në tërë Gjermaninë. Vetëm në një klinikë të fëmijëve në Stuttgart, nga nëntori janë trajtuar 166 fëmijë.

Çfarë është infeksioni me Virusin e frymëmarrjes Respiratory-Syncytial (RSV)?

Trakti i frymëmarrjes është pjesë e trupit që mundëson frymëmarrjen. Këto përfshijnë hundën, grykën, rrugët e frymëmarrjes në mushkëri dhe vetë mushkëritë. RSV është një virus që infekton traktin respirator.

Infeksionet RSV përhapen shpejt tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël, veçanërisht në dimër dhe në fillim të pranverës. Pothuajse të gjithë fëmijët e kanë këtë virus deri në moshën 4 vjeçare.

RSV shkakton rrufë, ethe, kollë dhe gulçim.

Shumica e fëmijëve nuk kanë asnjë problem, por infeksionet e rënda mund të shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje dhe nivele të ulëta të oksigjenit.

RSV mund të përsëritet më shumë se një herë, por simptomat nuk janë aq të theksuara sa herën e parë.

Çfarë e shkakton infeksionin RSV?

RSV është një nga shumë viruse që infektojnë traktin respirator. Të tjera përfshijnë virusin e ftohjes dhe virusin e gripit.

Nëse i sëmuri me infeksion RSV kollitet ose teshtin, ai mund të infektojë të tjerët afër me virusin duke thithur ose prekur pikat e infektuara të ajrit.

Cilat janë simptomat e infeksionit RSV?

Fëmijët zakonisht kanë simptomat e mëposhtme:

▪ Rrjedhje nga hunda
▪ Ethe
▪ Kollitja dhe fishkëllima (një tingull fishkëllimë kur marrin frymë të sëmurit)
▪ Simptomat zakonisht janë më pak të theksuara tek fëmijët më të rritur dhe të rriturit. Megjithatë, foshnjat mund të kenë simptoma të rënda.

Tek foshnjat nën 6 muajsh, simptoma e parë mund të jetë një pauzë në frymëmarrje (apnea)
Ndonjëherë foshnjat shumë të vogla kanë probleme të rënda të frymëmarrjes me fishkëllimë dhe nivele të ulëta të oksigjenit në gjak.

Si trajtohet infeksioni RSV?

Shumica e fëmijëve mund të përmirësohen në shtëpi me pushim dhe lëngje. Nëse të sëmurët kanë vështirësi në frymëmarrje, duhet trajtuar me oksigjen në spital.

Si e parandalojnë mjekët infeksionin RSV?

Nuk ka vaksinim kundër RSV. Njerëzit me fëmijë shumë të vegjël duhet të lajnë duart shpesh për të shmangur infektimin e foshnjës me virusin.

Në raste të rralla, mjekët japin një shiringë me ilaçe (palivizumab) çdo muaj për të ndihmuar në uljen e efekteve të infeksionit RSV.

Këtë medikament duhet përdor vetëm tek fëmijët që kanë të ngjarë të kenë vështirësi të rënda në frymëmarrje nga infeksioni RSV (p.sh., fëmijët shumë të vegjël me sëmundje të rënda të zemrës ose mushkërive, ose ata që kanë lindur shumë para kohe). /Telegrafi/

Exit mobile version