ass. dr. Laura Pajaziti, mr.sci.
dermatovenerologe
tel. 044 238 745
e-mail: laurapajaziti@gmail.com
Thonjtë paraqesin pjesë shtesë të lëkurës me prejardhje ektodermale. Zhvillimi i tyre fillon që nga java e nëntë e zhvillimit embrional. Thoni arrin në maje të gishtit në javën e 36 të jetës intrauterine. Ende nuk janë të njohur mirë faktorët kontrollues të rritjes së thonjve, por dihet se mesatarisht thonjtë e duarve rriten 1 cm për 3 muaj dhe 3 herë më ngadalë rriten thonjtë e këmbëve. Shpejtësia e rritjes së thonjve mund të ndryshojë nga personi në person, por ekziston tendencë e rritjes më të shpejtë gjatë muajve të verës. Pllaka e thoit përbëhet nga keratina (qeliza të brirëzuara, të ngjeshura), që paraqet një substancë të fortë dhe rezistuese. Fortësia e pllakës së thoit varet edhe nga sasia e ujit që mund të lidhë. Sa më pak të ketë ujë në përmbajtje, thoni është më i fortë dhe vështirë prehet.
Thonjtë luajnë rol mbrojtës të falangjeve distale, ndihmojnë në aktivitete të përditshme (kapje e objekteve të imta), kurse në ditët e sotme kanë edhe rëndësi të madhe estetike.
Përmes thonjve mund të pasqyrohen një varg i sëmundjeve të brendshme e poashtu thonjtë involvohen edhe në shumë sëmundje të lëkurës.
Infeksionet e thonjve janë një kategori e veçantë e sëmundjeve që mund të përfshijnë vetëm pllakën e thoit, matriksin (rrënjën) ose indin përreth thoit (perionihium).
Infeksionet bakteriale të thonjve
Paronychia acuta është infeksion akut i indeve të buta rreth thoit. Staphylococcus aureus dhe streptokokët e grupit A janë shkaktarët më të shpeshtë. Zakonisht paraqiten pas prishjes së integritetit të epidermës si pasojë e ndonjë traume, qoftë ajo edhe mikroskopike. Karakteristikat klinike janë skuqja, ënjtja (edema) si dhe grumbullimi i qelbit në pjesën e sipërme (proximale) dhe pjesët anësore të indeve të buta rreth thoit.
Trajtimi i infeksioneve bakteriale të thonjve dhe strukturës përreth tyre bëhet me antibiotikë të spektrit të gjerë e nganjëherë nevojitet të bëhet dhe incizioni.
Infeksionet mikotike të thonjve
Infeksionet mikotike të thonjve quhen onikomikoza. Shkaktarë të onikomikozave janë dermatofitet dhe kërpudha e tharmit Candida albicans. Favorizues të infeksioneve mikotike janë çrregullimet në qarkullimin e gjakut në gishta që ka për pasojë edhe kequshqyerjen e rrënjës së thonjve, mikrotraumat, manikyri dhe pedikyri i kryer në mënyrë joprofesionale, sëmundjet që përcillen me çrregullime trofike, etj.
Diagnostikimi i sëmundjes bëhet me ekzaminim mikroskopik me çka vërtetohet prania e elementeve mikotike. Rëndësi të posaçme ka kultivimi i materialit nga thoni në terrenet ushqyese në laboratorët mikrobiologjik ku edhe definohet saktë lloji i shkaktarit. Kështu i shmangemi mjekimit të gabueshëm të sëmundjeve tjera të thonjve të ngjashme me onikomikozat.
Mjekimi i infeksioneve mikotike të thonjve bazohet në rezultatet laboratorike. Pasi që thonjtë rriten shumë ngadalë (thonjtë e duarve përtërihen për 6 muaj, kurse të këmbëve 12-18 muaj), mjekimi i tyre kërkon kohë të gjatë dhe durim. Vetëm me trajtim lokal është pothuaj e pamundur të mjekohen onikomikozat. Për këtë qëllim përdoren preparatet antimikotike në mënyrë sistemike si: terbinafina, itrakonazoli, flukonazoli, ketokonazoli në kombinim me kremrat ose tretjet antimikotike.
Profilaksia e infeksioneve mikotike të thonjve:
– preparatet antiseptike,
– pudrat antimikotike 1 x në ditë
– pedikyri/manikyri: sigurohu se instrumentet janë të sterilizuara.
/Telegrafi/