Telegrafi

India regjistron numër të madh të të infektuarve me COVID-19 në një ditë, shifra më e lartë në gjashtë muajt e fundit

India ka raportuar 81,466 infeksione të reja me COVID-19 brenda 24 orëve, shifër kjo më e larta që nga 2 tetori 2020.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, numri i përgjithshëm i të prekurve në Indi është 12.3 milionë, duke e bërë atë vendin e tretë më të prekur në të gjithë botën, pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.

Vendi raportoi 469 vdekje të tjera, duke e çuar gjithsej numrin në 163,396.

Mes një rritje të infeksioneve të reja, India të enjten zgjeroi fushatën e saj të vaksinimit të coronavirusit për të përfshirë ata në grupmoshën 45-60 vjeç.

Kështu, qendrat publike dhe private që ofrojnë vaksinim do të jenë të hapura çdo ditë gjatë gjithë prillit, duke përfshirë ditët e festave publike në një “hap të rëndësishëm për të zgjeruar në mënyrë eksponenciale vaksinimin në të gjithë vendin”, tha ministria e shëndetësisë.

Urgjenca e shtuar pason një rritje të rasteve që nga fillimi i shkurtit kur infeksionet e reja ditore ranë nën 9,000 në më shumë se 81,000 të raportuara të premten.

Ekspertët kanë paralajmëruar që infeksionet po rriten me një ritëm më të shpejtë krahasuar me vitin e kaluar kur rastet njëditore arritën kulmin në pothuajse 100,000 në shtator.

India ka administruar më shumë se 65 milionë vaksinime për të moshuarit dhe grupet e tjera të prekshme, por me një ritëm shumë të ngadaltë për të arritur objektivin ambicioz të qeverisë për inokulimin e 300 milionë njerëzve deri në fund të korrikut. /Telegrafi/