Site icon Telegrafi

India kritikon Kinën për shkak të ligjit të ri për kufijtë: Të shmangen lëvizjet që mund ta ndryshojnë situatën

India sot ka kritikuar Kinën për miratimin e ligjit të ri që mbron kufijtë tokësor, për të cilin pretendon se mund të ndikojë në mosmarrëveshjen e gjatë mes dy vendeve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë, ka bërë të ditur që New Delhi pret nga Kina të shmang këto lëvizje që kanë të bëjnë me ligjin e ri, që do të mund ta ndërronin situatën përgjatë vijave kufitare, transmeton Telegrafi.

Bisedimet e komandantëve të ushtrisë së Indisë dhe të Kinës, për tërheqjen e trupave në zonat kyçe përgjatë vijës kufitare kanë përfunduar pa ndonjë marrëveshje, ku pas 17 muajve nuk janë zbutur tensionet që çuan edhe deri te përleshjet vdekjeprurëse.

Parlamenti kinez të dielën miratoi ligjin me të cilin thuhet se integriteti dhe sovraniteti i Kinës “janë të shenjta dhe të paprekshme”.

“Shteti do të ndërmarrë masat për mbrojtjen e integritetit territorial të kufijve tokësorë, dhe do të luftojë kundër çfarëdo kërcënimi që u bëhet kufijve tokësorë”, thuhet në ligjin e ri.

Që të dy vendet në rajonin Ladak kanë shpërndarë dhjetëra mijëra ushtarë përgjatë vijës faktike kufitare, që është e njohur si Linja e kontrollit të vërtetë.

Vitin e kaluar 20 ushtarë indianë humbën jetën në një përleshje me ushtarët kinezë në këtë rajon. Kina asokohe pati njoftuar se ka humbur katër ushtarë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version