Site icon Telegrafi

Inaugurohet fidanishtja moderne “Agro Kabashi” në fshatin Qifllak në Komunën e Rahovecit

Fidanishtja moderne, “Agro Kabashi”, e inauguruar së fundmi në fshatin Qifllak të Komunës së Rahovecit, nënkupton një hap të rëndësishëm drejt promovimit të praktikave të qëndrueshme bujqësore dhe rritjes së produktivitetit bujqësor në rajon.

Kjo fidanishte ka përfunduar procesin e modernizimit duke instaluar teknologji moderne për zhvillimin e fidanëve dhe pritet të transformojë praktikat bujqësore në rajonin e Rahovecit duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e bujqësisë.

Gëzime Hasani, menaxhere e Komunikimit dhe PR -it në Swisscontact tha se investimi në fidanishte moderne ofron siguri më të madhe të ushqimit.

“Besojmë se duke investuar në zgjidhje inovative, si kjo fidanishte moderne, ne investojmë në qëndrueshmëri dhe siguri më të madhe të ushqimit. Kjo fidanishte e re, me pajisje me teknologji të avancuar dhe praktikat më të mira, do të ndryshojë mënyrën se si kultivohen fidanët”, vazhdoi ajo.

Emin Kabashi, nga fidanishtja “Agro Kabashi” thotë se teknologjia e përdorur në këtë fidanishte përdoret për herë të parë në veprimtarinë e familjes së tyre.

“Kjo serë e fidaneve dhe e teknologjisë që përdoret këtu, përdoret për herë të parë në veprimtarinë e familjes sonë, falë brezit të tretë të familjes që i janë përkushtuar kësaj veprimtarie dhe që u ndihmon për të bërë një jetë më të lehtë dhe më të efektshme”.

Sipas Bajram Imeri, nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kjo fidanishte moderne është dëshmi e gjallë e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe subvencioneve që ajo ka shpërndarë tek bujqit.

“Ministria e Bujqësisë përmes granteve dhe subvencioneve ka vite me rradhë që e mbështet sektorinë e Bujqësisë, posaçërisht sektorin e serave dhe fidanishteve. Kjo fidanishte moderne është një dëshmi e gjatë e këtij bashkëpunimi të suksesshëm”, shtoi ndër të tjerash.

Falënderim për familjen e Muhamet Kabashit shprehu edhe Fatmir Iska, nënkryetar i Komunës së Rahovecit.

“Një falënderim i veçantë shkon për familjen e Muhamet Kabashit, njërin nga kultivuesit më të mëdhenj në rajon që ka qenë pjesë e këtij projekti, ka pranuar dhe ka pasur gatishmëri, për inovacionin në prodhimin e fidanave. Me inaugurimin e kësaj fidanishteje moderne, ne shënojmë një hap të rëndësishëm në rrugën kundrejt një prodhimi të qëndrueshëm dhe të avancuar. Kjo është një mundësi për të rritur të ardhurat e fermerëve tonë në treg dhe për kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të fermerëve tanë”.

Ndërkaq Berat Thaqi, nga Ambasada e Zvicrës theksoi se janë duke i mbështetur shtatë fidanishte në regjione të ndryshme të Kosovës teksa kjo nismë është krijuar për të ofruar përfitim të dyfishtë.

“Për më shumë se një dekadë, ne kemi punuar së bashku me fermerët e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për këtë sektor. Jemi të lumtur për mbështjetjen që po i japim shtatë fidanishteve në Kosovë në regjione të ndryshme, të cilët do të kontribuojnë në një vlerë të shtuar në bujqësi. Këto fidanishte do të jenë të dobishme për të ofruar fermerë dhe fidalë të cilësisë së lartë dhe për të promovuar praktika më të mira bujqësore. Kjo nismë është krijuar për të ofuar përfitim të dyfishtë. Së pari, rritje të produktivitetit për fermerë, duke çuar të ardhura më të larta dhe një ekonomi bujqësore më të fortë dhe së dyti, përmirësim i kushteve të punës, që do të inkurajojë më shumë gra që t’i bashkohen fuqisë punëtore bujqësore”.

Një nga punonjësit e stafit të fidanishtes “Agro Kabashi”, Korab Kabashi lë një mesazh të fuqishëm për të gjithë prodhuesit.

“Mesazhi im për gjithë prodhuesit, d.m.th bujqit ose fermerët që merren me mbjelljen e kulturave të ndryshme bujqësore është që nëse dëshironi të keni sukses dhe të keni prodhim sa më shumë, vazhdoni me fidane më moderne sepse ndihmon që bima kur të bie në tokë të jetë më e suksesshme dhe të ketë më shumë prodhimtari. Në rast se doni të shkoni për të eksportuar pak më shumë, ju duhet të fokusoheni në kualitet sa më shumë”.

Fidanishtet moderne janë fidanishte që përdorin teknologji dhe praktika innovative për të rritur dhe prodhuar fidane të cilësisë së lartë. Këto elemente të prodhimit të fidanëve sigurojnë që proceset e rritjes të jenë efikase, të qëndrueshme dhe të kenë prodhim më të madh të fidanëve në kohë më të shkurtë. Prodhimi më i madh i fidanëve siguron që bujqit e zonës të kenë qasje më të lehtë në fidanë cilësorë.

Modernizimi i fidanishtes “Agro Kabashi” është mundësuar përmes bashkëfinancimit nga biznesi Agro Kabashi, Komunës së Rahovecit dhe projektit për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat, PPSE.

PPSE është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe implementohet nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest. Ky projekt ka për qëllim promovimin e praktikave të qëndrueshme në bujqësi, të përmirësojë qasjen në tregje dhe të modernizojë zingjirin e vlerës të ushqimit.

Kjo fidanishte do të shërbejë si një qendër për edukimin dhe inovacionin bujqësor në rajon. Ai do t’u sigurojë fermerëve vendas qasje në fara, mjete dhe trajnime të cilësisë së lartë për të përmirësuar rendimentet e tyre të korrave dhe produktivitetin e përgjithshëm.

Fidanishtja “Agro Kabashi” demonstron një përkushtim për transformimin e peizazhit bujqësor në Qifllak dhe vendosjen e një standardi të ri për zhvillimin e agrobiznesit në rajon.

Exit mobile version