Drejtues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe ata të Komunës së Prizrenit, të martën, kanë përuruar çerdhen në lagjen “Ortakoll”.
Sipas ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavci vlera e këtij projekti është mbi gjysmë milioni euro.
“Çerdhja do të mirëpres 160 fëmijë, investim ky i MASHTI-t në vlerën 563 mijë euro. Çerdhja është e kompletuar jo vetëm si infrastrukturë fizike, por edhe me inventarin e nevojshëm”, ka thënë Nagavci, raporton Telegrafi.
Sipas saj kjo është çerdhja e dytë në Prizren e ndërtuar me fondet e MASHTI-t, ndërkohë që puna po vazhdon edhe për një çerdhe tjetër.
Në të njëjtën kohë Nagavci ka theksuar se programi i kuponëve, parasheh përfshirjen e fëmijëve të familjeve me asistencë sociale, dhe se njëra nga katër komunat ku po pilotohet ky projekt është edhe Prizreni, dhe ka ftuar çerdhet private që të aplikojnë, me qëllim që të mundësohet përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm pa dallim.
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj ka theksuar se kur ministritë bashkëpunojnë me komunat atëherë ndodhin punë të mira, si në këtë rast me çerdhen në lagjen “Ortakoll”.
“Këtu janë krijuar të gjitha parakushtet që të kemi një përkujdesje ndaj fëmijëve. Por për ta funksionalizuar çerdhen nevojitet një racionalizim sa i përket alokimit të fondeve dhe edukatorëve. E di që ka vështirësi, e di që ka nevojë për harmonizime konsultime, por po apeloj që kjo çështje të adresohet, sepse pa staf edukativ nuk arrihet qëllimi për çka është inauguruar ndërtesa sot”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.
Ndërsa drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj ka theksuar se kjo është çerdhja e tretë publike në Prizren, që mundëson zhvillimin e edukimit të hershëm për fëmijët. /Telegrafi/