Imazhet e dy dezertorëve të tmerruar të Koresë së Veriut që tërhiqen me forcë përtej kufirit ku dyshohet se u ekzekutuan, kanë shkaktuar zemërim në Korenë e Jugut.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dy peshkatarët u përpoqën të kalonin në fqinjët e tyre jugorë pasi u akuzuan për vrasjen e 16 shokëve të një anijeje.
Dhe tani janë shfaqur fotot që thuhet se tregojnë momentin kur ata “u tërhoqën zvarrë” drejt diktaturës nga ku po përpiqeshin të iknin.
Aty, zyrtarët e Koresë së Veriut po i prisnin në automjete në anën tjetër të Zonës së Çmilitarizuar, në vitin 2019.
Ndërkohë burrat thuhet se u ekzekutuan për tradhti në Korenë e Veriut këtë javë, megjithëse kjo nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut denoncoi riatdhesimin, duke akuzuar qeverinë e mëparshme të udhëhequr nga Moon Jae-in për një ‘krim të mundshëm kundër njerëzimit’.
Sipas Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Korenë e Veriut, ky ishte dëbimi i parë i tillë që nga Armëpushimi i Luftës Koreane të vitit 1953.
Ndërsa grupet e të drejtave të njeriut dhe politikanët e Koresë së Jugut thonë se burrat nuk do të kishin pasur kurrë një gjyq të drejtë dhe madje sugjeruan se bisedimet ishin të motivuara politikisht që Moon të zhvillonte bisedime paqeje me Kim Jong-un.
“Nëse ata u riatdhesuan me forcë në Veri edhe kur shprehën vullnetin e tyre për t’u larguar, është një krim kundër njerëzimit që ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe kushtetutën”, citohet të ketë thënë Kang In-sun, zëdhënëse e presidentit Yoon Suk-yeol.
Ajo u zotua se administrata e Yoon do të zbulonte të vërtetën pas vendimit, pasi prokurorët e Koresë së Jugut kanë rihapur një hetim për rastin.
Në atë kohë, qeveria e presidentit të atëhershëm Moon Jae-in i quajti peshkatarët ‘kriminelë të rrezikshëm që do të kërcënonin sigurinë e Koresë së Jugut’.
Moon nuk ka komentuar mbi akuzat e reja dhe Reuters nuk mundi të gjurmonte menjëherë detajet e kontaktit.
Por ligjvënësi i opozitës, Yoon Kun-young, i cili shërbeu gjatë mandatit të Moon-it, mbrojti masën si të ligjshme dhe në interesin kombëtar.
Ai ishte një nga tetë ligjvënësit që lëshuan një deklaratë duke akuzuar qeverinë Yoon për rihapjen e çështjes për të goditur armiqtë politikë.
Ndërkohë aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë dënuar riatdhesimin dhe një hetues i OKB-së tha se Koreja e Jugut ndoshta kishte shkelur të drejtat e burrave, duke anashkaluar detyrimin e sistemit të saj të drejtësisë për t’u marrë me ta në vend që t’i dëbonte.
Ndërsa fati i tyre nuk është konfirmuar, ekzistonte një pritshmëri që të drejtat e tyre do të shkeleshin kur t’u dorëzoheshin autoriteteve të Koresë së Veriut, tha Tomas Ojea Quintana, hetuesi i OKB-së, në Seul muajin e kaluar. /Telegrafi/