Telegrafi

Ilir Daja pas fitores ndaj Lincoln: Morëm atë që deshëm, por maksimumin jo

Foto nga arkivi

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka folur pas fitores ndaj Lincoln Red Imps me rezultat 2-0 në kuadër të ndeshjes së parë të rrethit të tretë të Ligës së Konferencës.

Pjesa e parë nuk solli gola, ndërsa në të dytën Ballkani shënoi dy herë. Daja ka treguar se mënyra e lojës ka ndryshuar në pjesën e dytë ku erdhën edhe golat.

“Në një mënyrë morëm atë që deshëm, por maksimumin jo. Por është krejt normale, pasi kemi ndryshime në mënyrën e të luajturit dhe duhet të zëvendësojmë Rrahmanin e Emërllahun”.

“Është e vështirë që kjo të bëhet për një javë. Kemi edhe telashe shëndetësore. Shtatë-tetë lojtarë janë prekur nga temperatura dhe viruset. Por me 2-0 kemi bërë gjysmëhapi të mirë përpara. E rëndësishme është ta mbyllim me kualifikim”.

“Kemi kërkuar mënyrë tjetër të lojës dhe në pjesën e parë kjo nuk funksionoi. Kemi kërkuar ta qarkullojmë topin në mënyrë tjetër. Me fillimin e pjesës së dytë ekipi ka reaguar. Po të ishin më të ftohtë përpara, rezultati ka mundur të jetë edhe më i thellë. Këta kundërshtarë ndryshojnë në shtëpinë e tyre. Nuk kanë shumë kualitete, por luajnë me topa të dytë, topa të gjatë dhe dyluftime të forta”.

Lexo po ashtu Ballkani ndez motorët në pjesën e dytë, me dy super gola merr fitore ndaj Lincoln Red Imps

“Do të mundohemi të riparojmë dhe të kemi kujdes të bëjmë atë që bëmë në 25 minutat e parë të pjesës së dytë. Tani fokusin e kemi te ndeshja e parë në kampionat dhe më pas do të merremi me ndeshjen e kthimit”, ka thënë Daja pas ndeshjes.

Ballkani luan si mysafir ndaj Lirisë të dielën, ndërsa pas një jave udhëton për në Gjibraltar për ndeshjen kthyese ndaj Lincoln. /Telegrafi/