Telegrafi

Idrizi zotohet për bashkëpunim të ngushtë me Bashkësinë Islame

Bashkëpunimi i ngushtë i vendosur ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe Bashkësisë Islame, që ka nisur në kohën e Avni Kastratit, do të ripërtërihet edhe në mandatin e ardhshëm.

Kështu premtoi kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi, e cila së bashku me drejtuesit e Degës së PDK-së në Mitrovicë, vizitoi të premten Bashkësinë Islame në këtë qytet.

Në këtë kontekst u përmend projekti për mbulimin e shpenzimeve nga komuna për ceremonitë mortore, që zbatohet nga Bashkësia Islame.

Kryetari i Degës së PDK-së, Avni Kastrati, tha se ai ka qenë një projekt tepër human që kishte filluar në Mitrovicë dhe mandej shumë komuna të Kosovës e kishin marrë si model.

Bashkëpunim me Bashkësinë Islame e ka vlerësuar tepër të rëndësishëm për qytetarët  kandidatja e PDK-së për kryetare të komunës, Valdete Idrizi. “Koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, në këtë rast ndërmjet Komunës dhe Bashkësisë Islame, është në të mirë të vetë qytetarëve”, tha ajo.

Në vazhdën e aktiviteteve për zgjedhjet lokale të 2 tetorit, kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi, ka zhvilluar edhe takime dhe vizita nëpër lokalitete dhe biznese të ndryshme, mandej është takuar me qytetarë në sheshin e qytetit.

Në këto takime ajo ka shpalosur pika të programit për mandatin e ardhshëm, të cilat prekin të gjitha sferat e jetës në Mitrovicë.