Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka takuar të rinjtë që po i përcjellin trajnimet në fushën e zhvillimit softuerik.
Këto trajnime po mbahen në “SPEEX Education”, të ndarë në tre grupe me rreth 60 të rinj, shkruan Telegrafi.
Idrizi ka thënë se këto trajnime janë investim i drejtëpërdrejtë në të ardhmen e të rinjve.
“Bashkëpunimi me SPEEEX Education është një hap konkret për të fuqizuar të rinjtë me aftësi digjitale dhe për t’i përgatitur ata për tregun e punës në sektorin e teknologjisë”, ka thënë Idrizi.
Ai është shprehur se duke investuar në rininë tonë, po investojnë në një të ardhme më të mirë për Vushtrrinë dhe Kosovën.
“Jam i lumtur të shoh përkushtimin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve dhe besoj se me punë dhe mbështetje të vazhdueshme, ata do të arrijnë suksese të mëdha”, ka shtuar Idrizi. /Telegrafi/