Kandidajtja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka vazhduar takimet me qytetarë nëpër lokalitete të ndryshme në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Në takim me qytetarët e Shupkovcit dhe Urës së Gjakut, ajo ka prezantuar programin qeverisës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, një program gjithëpërfshirës dhe të detajuar.
Idrizi theksoi se pos të tjerash, në mandatin e ardhshëm planifikohet që të zgjidhet përfundimisht çështja e transportit publik.
“Në Mitrovicë nuk ka fare të organizuar transport publik dhe kjo është e papranueshme për një komunë dhe një qytet si Mitrovica. Si rrjedhojë gjendja në këtë aspekt është kaotike dhe tepër e rënduar”, tha ajo.
Sipas saj, pushteti aktual nuk ka pasur as dije dhe as vullnet për t’u marr më këtë aspekt tepër të rëndësishëm për një komunë.
“Pushteti komunal nuk është marrë fare me organizimin e transportit publik. Ata janë marrë më tepër me bizneset e veta dhe me rehatimin e të afërmve sesa që kanë menduar për qytetin dhe qytetarët”, tha Idrizi.
Në këtë kontekst, ajo ka përmendur disa projekte konkrete për përmirësimin e situatës sa i përket transportit publik.
Fillimisht, ka thënë se do të studiohet fizibiliteti për organizimin e transportit urban në territorin e komunës, mandej do të afatizohet operimi i auto-taksive dhe kombi-taksive në bashkëpunim me shoqatat përkatëse, do krijohen beneficione për udhëtime për kategori të veçanta si dhe do të rregullohet ndriçimi publik, emërtimi dhe shenjëzimi i rrugëve.