Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka thënë se ai nuk është ftuar te Suedia për shkak të emrit, por për shkak se e meriton.
Veterani ka mbushur 39 vjeç dhe nuk ka luajtur për Suedinë që nga viti 2016, por këtë javë ai u thirr nga përzgjedhësi Janne Andersson për kualifikimet e Kupës së Botës këtë muaj.
Trajneri konfirmoi se ai ka planifikuar që Ibrahimovic të përfshihet edhe në Kampionatin Evropian këtë verë.
“Unë nuk dua të konsiderohem dhe të thirrem për atë ka bërë më parë, por për atë që mund të jap tani”.
“Unë nuk mund të jem lojtari që isha pesë, 10, 15 ose 20 vjet më parë. Tani, unë kam një fizik krejt tjetër dhe një lojë krejt tjetër”.
“Por unë mbaj një nivel shumë të lartë. Ju nuk duhet të shqetësoheni. Unë nuk jam në listën e skuadrës sepse unë quhem Zlatan dhe unë jam Ibrahimovici”.
“Kjo është për shkak të asaj që kam arritur. Mendoj se e meritoj”, ka thënë Zlatan për kanalin zyrtar të Shoqatës së Futbollit Suedez në YouTube.
Suedia do të zbarkojë në Kosovë me 28 mars në ndeshjen që do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”. /Telegrafi/