Site icon Telegrafi

Ibrahimi: S’ka rëndësi kush shënon, kërkojmë fitoren ndaj Vardarit

Java e 11-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë sjell derbin e zjarrtë ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit, dy pretedentët e mëdhenj për titullin kampion.

Në vigjilje të ndeshjes, adrenalina tek lojtarët po rritet dhe njëri prej atyre që pritet të jetë vendimtar është sulmuesi ‘kuqezi’ Besart Ibraimi.

“Padyshim se jemi të gatshëm për këtë ndeshje që përveç vlerës së madhe në garën për kreun e tabelës dhe titullin kampion, ka rëndësi të veçantë për tifozët tanë. Ne kemi parasysh gjithë këto, megjithatë nuk duhet të na kapë euforia. Përkundrazi, të qetë dhe të motivuar të japim më shumë se 100% nga vetja për të marrë rezultatin e dëshiruar, që padyshim është fitorja.”

Sulmuesi i Shkëndijës është i karikuar për derbin e të Dielës me Vardarin, ku Shkëndija kërkon fitore për t’u ngjitur në vendin e parë në renditje. Ai paralajmëron gol, por thekson se më me rëndësi është fitorja. Shkëndija-Vardari luhet të dielën në Tetovë, në orën 14:30.

“Patjetër se do të jap gjithçka nga vetja për të shënuar një ose më shumë gola, pasi ne sulmuesit mes tjerash kemi këtë detyrë. Mirëpo më besoni, e them sinqerisht se aspak nuk më bën presion mua apo kolegëve të mi nga sulmi se kush do të jetë ai që do bëjë gol. Me rëndësi ne të fitojmë, ndërsa golin le ta bëjmë portieri apo edhe autogol i kundërshtarit të jetë. Ambicia jonë është të dalim me tre pikë nga ky duel, pasi e dimë se çka na sjellin ato, ndërsa pak rëndësi ka mënyra se si do arrijmë objektivin. Kam besim të plotë se stadiumi do të jetë përplot me tifozë, ndërsa futbollistët premtojnë më të mirën nga vetja në teren.”, u shpreh ai. /SS/Telegrafi/

Exit mobile version