Ylli i Paris Saint-Germainit, Zlatan Ibrahimoviq, ka gjasë që të marrë pjesë me përfaqësuesen olimpike të Suedisë në Lojërat Olimpike, që mbahen këtë verë në Rio de Janeiro.
Trajneri i U-21 të Suedisë, Hakan Ericson, shpreson në pjesëmarrjen e Ibrahimoviqit, 34-vjeçar. Ndonëse në turneun olimpik marrin pjesë lojtarë kryesisht nën 23 vjet, ka pak vende për lojtarë që kalojnë këtë moshë.
“Unë shpresoj që Zlatani të jetë në dispozicion. Por çdo gjë varet se për cilën skuadër do të luajë nga vera dhe po ashtu nga paraqitja e tij në Kampionatin Evropian në verë”, ka deklaruar Ericson, përcjellin mediumet suedeze të premten.
Ibrahimoviq ka kontratë me Parisin deri në fund të këtij stinori dhe po pritet të largohet nga skuadra kampione franceze.