Telegrafi

I prirë për të vepruar

Aktualisht Kushtrimi jeton e studion në Turqi dhe thotë se mbarimin e studimeve e ka prioritet. Gjithsesi ai nuk mund të pres të diplomojë për të pasur ndikim në komunitet. Së bashku me disa shokë klase, ai ka sajuar një ide brilante: shërbime mobile stomatologjike për ata që janë ekonomikisht të paprivilegjuar.

Bashkë me një grup studentësh e profesorësh, Kushtrimi i kalon vikendet në pjesë të varfra të Turqisë.

“Gjatë vikendeve ne i përgatisim tavolinat tona mobile me instrumente dhe udhëtojmë gjithandej për t’i ndihmuar ata që nuk mund të ndihmojnë vetveten”.

Megjithatë, për Kushtrimin, të bërit mirë nuk është e mjaftueshme – që dobia të jetë maksimale është po ashtu shumë e rëndësishme gjendja e duhur mendore. Kushtrimi është i pasionuar për të ndikuar në ndryshimin e mënyrës në të cilën shikohet mbrojtja e mjedisit dhe për të ndihmuar njerëzit me aftësi të kufizuara. Shpesh, lidhja në mes këtyre dyjave nuk kuptohet, por ai e ka dëshmuar se çfarë mund të arrihet me fuqinë e vullnetit të kombinuar me zgjidhjet kreative.

Krahas shërbimeve mobile stomatologjike, Kushtrimi ka krijuar një metodë komplekse dhe humane për të mbledhur kapakë të shisheve të plastikës, të cilat më pas riciklohen për të prodhuar karroca për nevojat e personave me aftësi të kufizuara. Kjo është përhapur shumë shpejt jo vetëm në Turqi, por në mbarë botën, duke përfshirë 44 shtete të ndryshme. Kushtrimi di më shumë se të gjithë ne, për lindjen e një ideje universale që influencon shoqëritë anembanë botës.

E çfarë ka të bëjë kjo me TEDxPrishtina dhe Kosovën?

Gjithçka.

Sipas Kushtrimit, Kosova është një shtet i ri që ende nuk e ka kuptuar potencialin e saj të plotë, meqë po udhëhiqet nga njerëz të paguximshëm për të shpalosur ide të mëdha që sjellin ndryshime. Dhe, sipas Kushtrimit, kjo ka krijuar një betejë mes klasave dhe mungesë të barazisë shoqërore.

“Besoj se strategjia e tanishme në Kosovë po shkon në drejtim të gabuar. Kosova duhet të udhëhiqet nga njerëz me guxim për të bërë ndryshime. Askush nuk e njeh problemin siç e njohim ne. Është trishtuese që në këto kohë disa njerëz janë të privilegjuar, e të tjerët janë lënë në harresë. Besoj se situata mund të ndryshojë vetëm kur të arrihet barazia shoqërore dhe kur çdokush do të gjykohet bazuar në etikën e punës dhe jo statusin shoqëror”.

Njerëzit me këso etike të punës që janë të prirë për të vepruar janë ndoshta ata që e inspiruan Kushtrimin të mësoj më shumë rreth TEDxPrishtina dhe të vendosë të marrë pjesë në këtë eveniment.

“Më pëlqeu webfaqja e TEDxPrishtina meqë pata mundësi të lexoj se si njerëz të tjerë po bëjnë ndryshime për një botë më të mire. Pavarësisht nëse i përkasin fushës së mjekësisë, teknologjisë, apo natyrës argëtuese, u ndjeva krenarë me ata që po krijojnë një imazh të shkëlqyer ndërkombëtar për Kosovën dhe njerëzit e saj”. /Telegrafi/