Poezi nga: Gjergj Fishta
Lamtumirë! – vendet e mija,
Qi po zhduken dalë-kadalë;
Qimon deti, ushton duhia,
Lkundet barka valë mbi valë.
Kah njai diell, qi asht tue flakue
Andej fill un tash do t’veta…
Lamtumirë! atdhe i bekue!
Lamtumirë! për sa t’jet jeta!
Nesër nade kur mbi ne
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e din sa ujë e dhé
Mue prej teje ka me m’da!
E por n’pvetsha ret’ mizore,
E por n’pvetsha zogjt e detit;
Se për ty, moj tokë arbnore,
S’ka me m’folë ma kush mue t’shkretit…
Tjera fusha e tjera zalle
Kam me pa, e tjera dete:
Kam me ndie, po, tjera valle,
Tjera gjuhë, n’tjera qytete;
Vendin tem, por, s’kam me e pa,
Ku kam le e jam burrnue;
Syt e mi edhe kanë me kja,
Pa u gjetë kush qi me i ngushllue.
Pa kend temin, posë nji Zotit,
Tue shtektue për dhé të huej,
Kanë me m’shkue ditt e motit
Sha e pëbuzun prej gjithkuej.
Kam me pasë shkretin’ për votër,
E për shtrojë të ndezten ranë;
Kam me pasë, ulkojën motër,
Kam me pasë, ehu! tigren nanë…
Nana e mbetne për së gjallit
Ka me m’kja, kushdi, ndo’ i ditë,
Dersa motra, dekun mallit,
Kot ndo’ i herë mue ka me m’pritë
Ka me i njehë, po, krushqt, e mjera,
Me i pru nanës n’shpi ni t’re:
Por i vllaj, kushdi, m’atë hera
Ka me u kalbun për nën dhé!
E njai dhé – ehu! kob prej qiellet!-
S’ka me kenë, jo, dheu i t’parvet,
Ku ma bukur qiella kthiellet,
Ku ma ambël n’ghuhë t’shqyptarvet
Para Hyj’t naltohet luta (1),
E ku besa asht e shejtnueshme
E ku zemrat s’dijn shka asht tuta,
E ku bjeshkët janë të madhnueshme.
Oh! ju bjeshkët e Shqyptaris’!
Ku ma mirë shndritë dielli e hana,
E ku logu a’ i bujaris!
E ku rriten djelm si zana!
Un ju kurr s’kam me u harrue,
Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:
Dersa t’muj me ligjirue,
Ju gjithmonë kam me u përmendë!
E ato halë (2) e qepariza
Kam me i pasë ndër mend gjithmonë,
E ato stane e njato mriza:
E ato berre e ato kumbonë…
Por, oh vaj! malet e mija,
Qe, po zhduken dalë-kadalë;
Gjimon deti, ushton duhia,
Lkundet barka valë mbi valë.
Lamtumirë, pra, bjeshkë e male!
E ju shkrepa edhe ju curra;
E ju breshta (3) e ju gjeth hale,
E ju prroje edhe ju gurra!
Lamtumirë, ju mrize e stana!
Lamtumirë, kumbona e berr’ve!
Lamtumirë, ju fusha t’gjana,
Ju livadhe, ene ju djerre.
Lamtumirë ti shpija e t’parvet,
Ku ma s’parit m’agoi drita
E ku strehë u dhaçë shtektarvet
Miqt e babës edhe ku i prita
Lamtumirë, caran (4) m’votër.
Lamtumirë, ju armët e shkreta!
Lamtumirë, ti nanë e motër!
Lamtumirë, për sa t’jet jeta!…
O shtektar, m’nji vorr të ri.
N’hassh ndo ‘i herë ti, tue ndjekë shtekun,
T’çilun n’ranë npër ndo ‘i shkreti,
Aty vetë kam me kenë dekun.
Nji kryq drunit, t’kjosha true,
Ziere e venma përmbi krye,
E, nemose, ti për mue
Lutju Hyjt’për shka t’kem fye.
Shkruar më 1909. Sqarime: Luta – lutja; 2. Halë – pisha, bredha; 3. Breshta – pyje me bredha; 4. Caran – gur katror në votër