Ka dështuar takimi i thirrur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për subjektet politike, LDK dhe PDK-dega në Gjilan.
Udhëheqësit, Lutfi Haziri nga LDK e Riad Rashiti nga PDK nuk iu përgjigjen ftesës për të biseduar lidhur me miratimin e buxhetit të këtij viti.
Si rrjedhojë, kryetari Hyseni ka mbajtur konferencë për media, duke thënë se të njëjtit po i bëjnë bojkot e bllok buxhetit të qytetarëve.
“Pas javësh të tëra bllokade nga opozita dhe thirrjeve të mia të vazhdueshme drejtuar fillimisht asamblistëve të partive opozitare dhe më pas edhe kryetarëve të këshilltarëve komunalë, dje kam ftuar një takim urgjent për sot”, tha Hyseni.
Hyseni theksoi se do të vazhdojnë të bëjnë përpjekje deri në miratimin e buxhetit për vitin 2025, duke iu bërë thirrje për reflektim nga ana e opozitës.
“Qytetarët e Gjilanit vlerësojnë drejt e nuk harrojnë. Po u bëjë thirrje përsëri, që të reflektoni e të përgjigjeni në kërkesën qytetare për votimin e buxhetit”, tha ai.
Ndryshe, takimi është paraparë të mbahet sot me fillim nga ora 10:00./Telegrafi/