Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka folur për bartjen e buxhetit të mjeteve të pashfrytëzuara për vitin 2023.
Hyseni tha se në total janë 2 milionë e 517 euro të pashfrytëzuara në vitin e kaluar, të cilat ai thekson se kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal që t’i bartin për vitin 2024, por që këta të fundit dolën kundër propozimit fillestar, duke thënë se janë të gatshëm për të votuar vetëm disa prej kërkesave.
“I kemi bërë planifikimet tona në vitin e kaluar edhe për këtë buxhet, ku projekte shumë të rëndësishme kanë qenë të planifikuara të zbatohen përmes këtij buxheti, por fatëkeqësisht në muajin shkurt dhe mars të këtij viti kur është dashur të bëhet bartja e buxhetit, nuk kemi gjetur mbështetjen e Kuvendit Komunal”, ka thekuar Hyseni.
Ai para media ka prezantuar riorganizimin e buxhetit, ku sa i përket investimeve kapitale, Hyseni tha se janë katër projekte gjithsej.
“Janë katër kategori, ku te ajo e investimeve kapitale, janë katër projekte gjithsej. Më i rëndësishmi është projekti i “Kodrës së Dëshmorëve” për të cilën kemi ndarë 115 mijë euro”, tha ai.
Tutje, në kuadër të investimeve kapitale, Hyseni thotë se është edhe kategoria e bashkëfinancimit, me çrast ka projekte të mëdha.
“Është edhe kategoria e bashkëfinancimit që ka projekte kapitale, siç është është projekti i ujësjellësit në Uglar me kosto prej 330 mijë euro”, ka thënë ai.
Në kategorinë e subvencioneve, Hyseni tha se një pjesë ka të bëjë me Drejtorinë e Bujqësisë, me çrast kanë ndarë 383 mijë euro.
“Sa i përket kategorisë së subvencioneve, e cila është njëra ndër kategoritë më të rëndësishme, ku një pjesë ka të bëjë me Drejtorinë e Bujqësisë. Për këtë drejtori kemi paraprë 383 mijë euro, prej të cilave një pjesë shkon edhe për subvencionimin e qumshtit për litër”, tha Hyseni.
Ndërsa, në Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik janë 30 mijë euro, të cilat sipas Hysenit janë marrë më herët për mbulimin e disa faturave në Drejtorinë e Bujqësisë.
“Në DKRS janë 144 mijë euro, ku edhe këtu e kemi kategorinë e subvencioneve për të cilat nuk kemi pasur buxhet të mjaftueshëm t’i mbulojmë për shkak se bartja e buxhetit është vonuar. Tek arsimi i kemi 50 mijë euro shtesë, perveç buxhetit 200 mijë euro të planifikuar për këtë vit”, shton tutje Hyseni.
Kryetari përmendi edhe 200 mijë euro, të cilat sipas tij janë planifikuar për bursa të studentëve.
Ndërsa i përket shoqatave, në kategorinë e subvencionimit, Hyseni thekson se për shoqatën “Pema” janë planifikuar të shpërndahen 30 mijë euro.
“Për shoqatën Pema, janë të planifikuar 30 mijë euro, ku kjo shoqatë ofron dy shërbime; dhoma multifunksionale si dhe shërbime të tjera për fëmijët me autizëm. Për shoqatën Handikos, i kemi 40 mijë euro të planifikuara, ndërsa tek shoqata e të verbërve i kemi 25 mijë euro”, tha ai.
Ndër të tjera, në këtë kategori sipas Hysenit, janë ndarë edhe 50 mijë euro për trajtimin e qenëve endacak, 40 mijë për subvencionimin e lehonave si dhe 50 mijë për projektin e stacionit të autobusëve.
Dhe në kategorinë për mallra dhe shërbime, Hyseni njofton se kan ndarë 102 mijë euro.
“Këto janë kryesisht për shërbimet të cilat i kemi tashmë të kryera e që duhet t’i paguajm për shkak se kemi mbetur mbrapa si pasojë e mungesës së mjeteve përmes bartjes së buxhetit”, ka thënë ai.
Hyseni njoftoi se dje gjatë seancës së Kuvendit Komunal, nuk kanë hasur në mirëkuptim që të bëhet bartja e buxhetit të vitit të kaluar në vitin 2024.
“Fatëkqesisht, dje në Kuvendin Komunal nuk kemi hasur në mirëkuptim për bartjen e buxhetit. Mirëpo, ajo se cfarë ka ndodhur dje në Kuvend është se ka pasur propozime të tjera, por që është ngatërruar legjislativi me ekzekutivin”, ka thënë ai.
Ndryshe, Opozita doli kundër propozimit fillestar të kryetarit të Komunës, ashtu siç e paraqiti ai, por tha se është e gatshme t`i votojë kërkesat e shoqatave Handikos, “Pema”, Shoqatës së të Verbërve, të ndërmarrjes Tregu si dhe projektin e Varrezave të Dëshmorëve, ashtu siç i formuloi Nazim Gagica (AAK) dhe i mbështetën edhe nga Avdyl Aliu (LDK), Bujar Nevzati (PDK) e Kushtrim Kadriu (Vatra), përkatësisht anëtarët e këtyre subjekteve politike në Kuvend. /Telegrafi/