Për dy ndeshjet e 11 dhe 15 tetorit, Kuman ka në listë 24 lojtarë, të gjithë të gatshëm për të zbritur në fushë, ku bie në sy mbipopullimi në repartet ofensive, por jo më pak edhe në mesfushë.
Bëhet fjalë për futbollistë cilësorë, të cilët luajnë në kampionate të mëdha si në Gjermani, Angli, Spanjë me ekipe si Dortmund, Hannover, Osasuna, Fulham etj.
Në këtë ndeshje, Altin Lala do të luajë përballë shokut të tij të repartit të mesfushës te Hannoveri, Szabolcs Huszti, autorit të golit të fitores 1-0 ndaj Bayern Munichut.
Ashtu sikundër edhe rivali kuqezi Arie Haan, edhe Koeman preferon të luajë me një sulmues të vetëm dhe për ndeshjen me Shqipërinë ka grumbulluar vetëm dy sulmues.
Në repartin e sulmit, Kuman i beson Gergely Rudolf (Debrecen, Hungari) dhe Sandor Torghelle (Augsburg, Gjermani). Ky i fundit duket se është i preferuari i Kuman, pasi në të gjitha takimet e fundit ka qenë titullar.
Më 11 tetor, në stadiumin “Ferenc Pushkash”, Shqipëria do të zbresë përballë kësaj skuadre me synimin për të marrë rezultat pozitiv.
Ndaj tyre kombëtarja kuqezi ka një bilanc negativ në tri ndeshje të zhvilluara, vetëm një barazim dhe dy humbje. Në këto tre ndeshje spikat edhe humbja më e thellë që ka pësuar kombëtarja shqiptare, në vitin 1950, 12-0 për hungarezët:
– Hungaria – Shqipëria; 3-0 (në vitin 1947, në Kampionatin e Evropës Qendrore)
– Shqipëria – Hungaria 0-0 (në 1948-ën për Kampionatin e Evropës Qendrore) dhe
– Hungaria – Shqipëria 12-0 (në 1950-ën, miqësore)./TCH/