Italia do të jetë mysafire e Maqedonisë së Veriut në Shkup këtë të shtune për ndeshjen eliminatore në kuadër të Kampionatit Evropian 2024.
Përfaqësuesja e vendit për këtë sfidë vazhdon me përgatitjet në kryeqytet që nga dita e hënë, ndërsa mbrojtësi shqiptar nga Gostivari, Visar Musliu ka folur për pritshmëritë në duelin ndaj Kampionëve të Evropës.
“Normal ndeshja ndaj Italisë, kundër kampionëve të Evropës, është një ndeshje e veçantë, pasi ne vijmë nga një moment jo i mirë dhe besoj se ky është një moment i mirë që duhet të përgatitemi fizikisht, taktikisht, teknikisht në të gjitha aspektet, në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të zhvillojmë një ndeshje të madhe ndaj Italisë”, shprehet fillimisht Musliu.
Mbrojtësi shqiptar thotë se humbjet nga Anglia dhe Ukraina i takojnë të kaluarës dhe se tani atmosfera është pozitive dhe kërkojnë të bëjnë më të mirën përballë Italisë.
“Ne si ekip kërkojmë të hapim një faqe të re. Ajo që ka ndodhur që ka kaluar është në histori dhe besoj përveç se duhet të shijuar këtë ndeshje, duhet edhe të nxjerrim rezultat pozitiv ndaj Italisë. Atmosfera është pozitive dhe fundja ne jemi profesionist dhe gjithmonë duhet të shikojmë vetëm përpara. Besoj se kemi kualitet edhe pse kemi disa mungesa, por kjo është përfaqësuese dhe nuk ka alibi”, tha Musliu.
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut do të pret Italinë me 9 shtator në arenën “Todor Proeski” në Shkup, me ndeshjen që nis nga ora 20:45. Ndërkohë tre ditë më vonë do të luaj në transfertë me Maltën.
Ekipi i udhëhequr nga Bllagoja Milevski nga tre ndeshjet e luajtura në grupin “C” eliminator ka vetëm 3 pikë dhe renditet në pozitën e 4-t. Grupi kryesohet nga Anglia me 12 pikë të plota, duke u ndjekur nga Ukraina me 6 pikë dhe Italia me 3. E fundit në grup është Malta që nuk ka fituar asnjë pikë deri më tani./Telegrafi/