Telegrafi

Humbin jetën pesë persona nga aeroplani i Rojeve Bregdetare, që u përplas me aeroplanin komercial në aeroportin e Tokios

Gjatë aterimit të një aeroplani komercial në aeroportin e Tokios, Japoni, është përfshirë nga zjarri si pasojë e përplasjes me një fluturake tjetër.

Bëhet fjalë për aeroplanin e tipit Airbus A350 të aviokompanisë Japan Airlines, që u shkatërrua i tëri në pistën e aeroportit Haned, transmeton Telegrafi.

Në aeroplan gjendeshin mbi 370 persona përfshirë ekuipazhin, e sipas mediave japoneze që të gjithë janë evakuuar nga fluturakja.

Lexo po ashtu Aeroplani jashtë digjet, e brenda i tëri me tym - publikohet videoja nga fluturakja japoneze e përfshirë nga zjarri

Zjarri shpërtheu pasi aeroplani i Japan Airlines u përplas me një aeroplan tjetër të Rojeve Bregdetare.

Brenda këtij aeroplani gjendeshin gjashtë persona, ku pesë prej tyre kanë humbur jetën dhe vetëm një ka shpëtuar.

Është piloti i fluturakes që ka arritur t’i shpëtojë më të keqes duke u evakuuar në sekondat e fundit, para se aeroplani të përfshihej i tëri nga zjarri. /Telegrafi/