Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag fajësoi fatin e keq për fundin e mjerueshëm në barazimin 2-2 me kundërshtarët e tyre, Sevillan, në çerekfinalen e Ligës së Evropës.
Duke kaluar 2-0 me Marcel Sabitzer, United pësoi dy autogola në minutat e fundit nëpërmjet Tyrell Malacia dhe Harry Maguire për të përfunduar ndeshjen e parë me rezultat 2-2. Për t’i bërë gjërat më keq për Unitedin, ishte një dëmtim i rëndë i pësuar nga Lisandro Martinez .
“E kishim ndeshjen në dorë. Ishim në epërsi 2-0 dhe duhej të kishim shënuar tre ose katër gola – ndeshja ishte plotësisht mbi ne. Momente të pafat me lëndime, na u desh të bënim disa zëvendësime dhe më pas humbëm kontrollin”, ka thënë fillimisht Ten Hag pas ndeshjes.
“Ne pranuam dy autogola, ky është një fat i keq, por ne duhet të përballemi me të. Duhet të mësojmë dhe duhet ta vrasim lojën, por gjithçka është e hapur”.
“Kur nuk e shënuam të tretin dhe morëm disa lëndime, humbëm ritmin e lojës. Ne luajtëm mirë në pjesën e parë me shumë besim, shënuam dy gola të mrekullueshëm me Sabitzer dhe mund të kishim shënuar edhe më shumë, atëherë pas pjesës së parë humbëm kontrollin e lojës”.
“E di që mund të bëjmë më mirë me këta lojtarë në pjesën e fundit të lojës dhe ne duhej të ishim më të qetë, nuk ishte një natë e bukur”, përfundoi holandezi. /Telegrafi/