Cyrus Mistry nga India dhe njëherit ish-drejtori i kompanisë Tata Sons, ka humbur jetën sot në një aksident trafiku, kur vetura e tij u përplas në rrethojën mbrojtëse në një autostradë në pjesën perëndimore të Indisë, ka njoftuar policia e atjeshme.
Mistry humbi jetën në moshën 54-vjeçare, kurse aksidenti ndodhi në urën mbi lumin Palgar, në shtetin indian Maharashtra në afërsi të Mumbait, ka bërë të ditur një zyrtar i policisë indiane.
Mistry ishte në krye të kompanisë Tata Sons për pesë vite, derisa bordi menaxhuese e shkarkoi në tetor të vitit 2016. Ai kishte kundërshtuar këtë vendim, por gjykata indiane e mbështeti shkarkimin e tij.
Politikanë dhe biznesmenë kanë reaguar në shok për lajmin rreth vdekjes së Mistryt, transmeton Telegrafi.
Kryeministri indian Narenda Modi ka thënë se Mistry ka qenë një lider i lindur, që ka besuar në aftësitë dhe fuqinë ekonomike të Indisë.
“Shkuarja e tij është humbje e madhe për botën dhe industrinë e automobilizmit”, ka shtuar kryeministri indian.
Mistry kishte 18.4 për qind të aksioneve në Tata Song përmes kompanisë Cyrus Investments Pvt. Ltd). Pasuria e tij neto vlerësohet të ketë qenë rreth 10 miliardë dollarë.
Ai filloi me biznesin familjar në ndërtimtari, dhe në vitin 1991 u bë edhe zyrtarisht drejtor ekzekutiv i kompanisë së tij. Pas vetes ka lënë gruan dhe dy djemtë. /Telegrafi/