Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka takuar sot një grup qytetarësh nga Lugina e Preshevës, gjatë qëndrimit të tij në Gjilan, së bashku me bashkëpartiakun Zenun Pajaziti, kandidaten për deputete të PDK-së, Leonora Morina Bunjaku, si dhe ish-kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
Hoxhaj ka dëgjuar problemet dhe vështirësitë e këtyre qytetarëve në Luginën e Preshevës, të cilët kanë treguar se si janë të diskriminuar nga Qeveria e Serbisë.
Hoxhaj ka thënë se me programin për Fillimin e Ri, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në pjesë të tjera të Serbisë do të kenë vëmendje më të madhe.
Ai ka shprehur shqetësimin se komuniteti shqiptar në Serbi është populli më i diskriminuar, pa të drejta të garantuara e mundësi për t’u integruar në institucione dhe shoqëri.
Hoxhaj ka thënë se për Kosovën ekzistenca fizike e shqiptarëve në Serbi është po aq e rëndësishme sa edhe garantimi i të drejtave të tyre politike. Ai tha se Kosova është treguar shumë gjeneroze në raport me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, dhe se presin që trajtimi i njëjtë t’u bëhet edhe shqiptarëve atje.
“Përderisa Kosova është treguar gjeneroze duke u dhënë të drejta dhe privilegje të shumta komunitetit serb në Kosovë, shqiptarët në Serbi janë populli më i diskriminuar pa ndonjë të drejtë të garantuar. Kjo gjë duhet të ndryshojë, dhe shqiptarët në Serbi duhet t’i kenë të njëjtat të drejta sikurse serbët në Kosovë. Për këtë do të angazhohemi edhe në kuadër të Fillimit të Ri gjatë mandatit të ardhshëm, që shqiptarët në Serbi dhe serbët në Kosovë të kenë të drejtat reciproke dhe asnjëra palë të mos jetë e diskriminuar”, ka deklaruar Hoxhaj.