Telegrafi

Holanda publikon listën për “Katar 2022”, Van Gaal “lë në shtëpi” katër lojtarë të njohur

Trajneri i Përfaqësueses së Holandës, Louis van Gaal ka publikuar listën me 26 futbollistët e ftuar për Kupën e Botës “Katar 2022”, ku nuk mungojnë befasitë.

Holanda është rikthyer në Kupën e Botës pasi mungoi në edicionin 2018 dhe trajneri Van Gaal është i bindur se mund të krijojë një surprizë dhe të shkojë larg.

Tulipanët kanë arritur në tre finale të Kupës së Botës në të kaluarën, por ende nuk e kanë ngritur trofeun e lakmuar pasi kanë rënë në pengesën e fundit çdo herë.

Në Katar, Holanda pritet të jetë një skuadër e respektuar pasi në vete ka emra yjesh të mëdhenj të cilët pritet ta thonë fjalën e tyre.

Van Gaal do të udhëhiqet nga Virgil Van Dijk, Frenkie de Jong dhe Memphis Depay, ndërsa ka ftuar edhe veteranë si Luuk de Jong, Stefen de Vrij dhe Daley Blind.

Trajneri holandez ka ftuar edhe talentë të njohur si Matthijs de Ligt, Cody Gakpo, Xavi Simons, Tyrell Malacia, Jeremie Frimpong dhe Jurrien Timber.

Mungesa e madhe e Holandës në Katar do të jenë Giorginio Wijnaldum i lënduar, ndërsa Donny van de Beek, Ryan Gravenberch, Jasper Cillessen dhe Sven Botman nuk janë ftuar për çështje taktike. /Telegrafi/