Site icon Telegrafi

Historitë e heshtura të viktimave të dhunës me bazë gjinore marrin fuqi me librin “Dashuri dhe dhunë”

Historitë e disa grave, të cilat janë viktima të dhunës me bazë gjinore, nga strehimoret e ndryshme të Republikës së Kosovës, janë përmbledhur në librin “Dashuri dhe dhunë” të autores Erzana Shehu-Mazrek.

Në promovimin e kësaj vepre në Prizren është theksuar se autorja ka arritur që me punën e saj të depërtojë deri tek shpirtrat e vuajtura të grave që kanë përjetuar lloje të ndryshme të dhunës, raporton Telegrafi.

Me këtë rast është nënvizuar se ky botim do të ketë ndikim shumëdimensional.

Recensenti i librit, avokati me përvojë Hazër Susuri ka vlerësuar se libri i autores Erzana Shehu-Mazrek pos tjerash do të ketë edhe ndikim edukativ.

“Ky libër ndikon edhe në mënyrë edukative se si duhet vepruar në këto raste. Këto gra të lodhura prej trajtimit të rëndë fizik dhe psikik e marrin guximin e fundit për ta lajmëruar pranë organeve shtetërore të cilët ia ofrojnë ndihmën e parë”, ka thënë Susuri.

 

 

Redaktori i librit,  avokati Visar Ostrozubi ka pohuar se libri krahas që shërben si një adresë për viktimat e dhunës me bazë gjinore do të nxis edhe ndryshimin.

“Ky libër pos rasteve që i ka prezantuar autorja me një përshkrim mbresëlënës, do të ketë edhe qëllim kulturor, emancipues”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq autorja e librit, Erzana Shehu-Mazrek ka bërë të ditur se pos dhimbjes, në faqet e librit gjendet edhe shpresa.

“Ky libër nuk është vetëm koleksion fjalësh, por secila faqe e saj përmban një dhimbje, një zhgënjim, por njëkohësisht një shpresë. Të gjitha gratë që i kanë rrëfyer historitë e tyre në mënyrë kronologjike, në fund të rrëfimeve kanë dëshmuar qartë se janë të vendosura, pra e kanë një fuqi të brendshme për të shkëlqyer në jetët e tyre”, është shprehur Shehu-Mazrek.

Ky aktivitet është realizuar gjatë fundjavës në kuadër të fushatës së 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. /Telegrafi/

Exit mobile version