Historiku i Kupës së Konfederatave. Gjithçka e ka zanafillën në vitin 1992 kur quhej “King Fhad Cup”.
Në atë vit finalja pa përballë Argjentinën dhe Arabinë Saudite. Suksesi i takoi “albicelcetëve” me rezultatin 3-1. Golat u realizuan nga Rodriguez, Cannigga dhe Diego Simeone, për ekipin arab shënoi Owairan.
Sërish nën emrin “King Fhad Cup” ky kompeticion do të zhvillohej sërish në vitin 1995, aty ku Danimarka kampione e Europës në fuqi siguroi trofeun duke mposhtur në finalen Argjentinën, 2-0. Autorët e golave për skandinavët ishin Michael Laudrup dhe Rasmussen.
Më pas u zhvillua turneu i parë nën emrin kupa e konfederatave, teksa FIFA i ka njohur të tilla edhe dy kompeticionet e luajtura me mbishkrimin “King Fhad Cup”. Më 1997. Brazili triumfoi për herë të parë duke thyer me shifrat tenistike 6-0 Australinë. 2 tripleta për “verdeorot” , një nga Ronaldo dhe një nga Romario.
Një vit pas disfatës në finalen e kupës së botës , Brazili u kthye në takimin përfundimtar të konfederatave përballë Meksikës, edhe në këtë rast disfata ishte ajo që shënoi rrugëtimin e “seleçaos”, pasi meksikanët fituan me rezultatin 4-3 në një turne që për herë të parë u shkëput nga Arabia Saudite dhe u zhvillua pikërisht në Meksikë.
Më 2001-in ishte rradha e Francës kampione e botës dhe Europës të ngrinte lart trofeun në Yokohama të Japonisë përballe ekipit vendas. Një gol i Patrick Viera rezultoi i mjaftueshëm për “gjelat” që aso kohe drejtoheshin nga Roger Lemerre, transmeton ata.
Botërori që pasoi në Korenë e Jugut dhe Japoni ishte një katastrofë për francezët, megjithatë ata rigjetën finalen e konfederatave në kompeticionin e zhvilluar pikërisht në Francë. Një finale kundër Kamerunit që për hir të së vërtetës ishte tej mase e trishtë, pasi mesfushori kamerunas Marc Viven Foe humbi jetën në fushë pas një ataku kardiak gjatë gjysmë-finales përballë Kolumbisë. Thierry Henry me një “golden goal” i dhuroi triumfin e dytë në kupën e konfederatave kombëtares së Francës.
Dominimi i Brazilit në këtë kompeticion nisi në vitin 2005. Turneu i zhvilluar në Gjermani dhuroi në finale supersfidën mes ‘pentacampeonëve” dhe Argjentinës. 4-1 për brazilianët me një Adriano në formë të mrekullueshme autor i dy golave, ndërsa rrjetën e gjetën dhe Kaka e Ronaldinho.
Në Afrikën e Jugut në vitin 2009, Brazili i drejtuar në atë kohë nga Dunga mbërriti në finale përballë SHBA. Kjo sfidë ishte tej mase emocionuese, pasi amerikanët kaluan në epërsi të dyfishtë falë golave të Clint Dempsey-t dhe Landon Donovan-it , por në pjesën e dytë brazilianët përmbysën gjithçka. Luis Fabiano ngushtoi filllimisht distancat e më pas ishte sërish ish sulmuesi i Sevillës ai që realizoi duke kthyer ekuilibrat. Goli i triumfit për “verdeorot” erdhi nga një kërcim perandorak me kokë i mbrojtësit Lucio. Një tjetër sukses për “pentacamponët”.
Edicioni më i fundit i kupës së konfederatave u zhvillua në Brazil në vitin 2013 dhe në finale mbërritën të zotët e shtëpisë përballë kampionëve në fuqi të botës Spanjës. Takimi nuk pati shumë histori dhe brazilianët kaluan në epërsi që në embrion me Fred. Në fundin e pjesës së parë ishte Neymar ai që dyfishoi për “seleçaon”, ndërsa në startin e të dytës sërish Fred gjeti rrugën e rrjetës duke e fiksuar rezultatin përfundimtar në 3-0. Titulli i 4-t për Brazilin në këtë konmpeticion që shërben si një provë gjenerale përpara zhvillimit të turneut më të rëndësishëm në futboll, kupës së botës.