Ka shumë arsye pse një futbollist profesionist mund t’i jap fund karrierës së tij. Lëndimet, pleqëria dhe dëshira për të kaluar më shumë kohë me familjen, janë disa nga motivet.
Vetëm një është që këtë e vendosi shkaku që sipas tij apokalips ishte afërt.
Ish-portieri i Argjentinës dhe Mallorcas, Carlos Roa, kishte një karrierë interesante, ndërsa besonte që bota do të përfundonte, kur të futemi në mijëvjeçarin e ri.
Që në fillim Roa tregoi formë të lartë me Racing Club, ndërsa pastaj kaloi te Lanus.
Ai kaloi në La Liga, ndërsa shkëlqeu sezonin e parë e kulmin e karrierës e arriti me fanellën e Kombëtares Argjentinase.
Ai njihet për pritjen që i bëri David Battyt dhe golit që e pranoi nga Dennis Bergkamp.
Pas kampionatit botëror, Manchester United ka qenë duke e vëzhguar dhe ishin të gatshëm të paguanin 10 milionë dollarë për ta bërë trashëgimtar të Peter Schmeichel në Old Trafford.
Por ai nuk u bind. Roa ishte i bindur se mijëvjeçari i ri do të lajmëronte fundin e botës dhe ai u largua nga futbolli në vitin 1999.
Ai mori gjithçka që i nevojitet dhe dhuroi të gjitha pasuritë e tij, duke shkuar në Villa de Soto, një fshat i vogël në malet e Kordobës, ku jetonte në izolim me familjen e tij, në pritje të apokalipsit.
“Nuk kisha dashur kurrë të bëhesha futbollist dhe nuk më mungon fare futbolli. Jam i lumtur pa futboll “, kishte thënë ai në një intervistë së fundmi, pas gjashtë muajsh kërkimesh nga gazetarët.
Apokalipsi nuk ndodhi dhe ai pranoi të kthehet të luajë në Mallorca, por me kusht që nuk do të punonte të shtunën.
Ndoshta jo për çudi, por Roa nuk arriti të kthehet në nivelin e tij të mëparshëm në Spanjë. Ai pastaj kaloi te Albacetet ku i ndihmoi të kthehen në La Liga.
Në vitin 2004 bota e tij u trondit nga një diagnozë e kancerit në testikuj, duke e detyruar atë të dalë në pension edhe një herë.
Ai shfaqi një vendosmëri ndaj sëmundjes dhe arriti ta mposht atë dhe të kthehet në futboll. Roa nënshkroi me Olimpon në vendlindje për tu pensionuar në vitin 2006.
Ai historinë e tij e tregoi në një intervistë të vitit 1999.
“Unë kam qenë një i krishterë i keq. Unë kam nevojë të kem besim, të marr Biblën dhe të besoj se Perëndia do të më udhëheqë “, ishin fjalët e Roas në qershor të vitit 1999, kur ai u largua nga futbolli dhe priste fundin.
Por fati kishte plane të tjera për portierin dhe sporti e mirëpriti atë me krahë hapur, ndërsa ai mundi kancerin dhe apokalipsin për të vazhduar historinë e tij të jashtëzakonshme. /Telegrafi/