Drejtuesit e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” kanë njoftuar se punimet për sanimin e prishjes në gypin furnizues në rrugën “Tirana” në Prizren po vazhdojnë edhe të hënën paradite. Sipas tyre plani është që gjatë ditës të rregullohet furnizimi me ujë për një pjesë të qytetit të Prizrenit dhe disa fshatra.
Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Fadil Berisha ka theksuar se pas paraqitjes së vështirësive në terren, ka angazhime për dislokimin e gypit furnizues prej pjesës që është nën objektin afarist, raporton Telegrafi.
“Punimet po vijojnë. Pritet që sot në orët e pasdites të kthehet furnizimi me ujë, nëse çdo gjë shkon sipas planit të paraparë”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se edhe kjo do të jetë një zgjidhje e përkohshme meqë komplet gypi i vjetër furnizues prej asbesti duhet të zëvendësohet.
Sipas tij, në ndërkohë si alternativë po realizohet shpërndarja e ujit me autocisternë sipas kërkesave të banorëve.
Si pasojë e prishjes në fjalë është ndalur furnizimi me ujë për një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Prizrenit, konkretisht lagjet “Bajram Curri”, “Jeta e Re”, “Arbana” (pjesërisht), fshatrat Vlashnje dhe Landovicë, dhe pjesërisht disa rrugë dytësore, raporton Telegrafi.
Lidhur me këtë çështje, në fundjavë ka reaguar edhe dega e LDK-së në Prizren, duke e vlerësuar si skandaloze gjendjen në terren, dhe duke shtruar pyetjen se kush e ka lejuar ndërtimin e objektit afarist mbi gypin furnizues të ujit.
“LDK në i Prizren i bën thirrje organeve të drejtësisë që të dalin në teren dhe të shohin nga afër tmerrin. Të analizojnë nga afër se kush lejoi ndërtimin e atij objekti dhe të marrin masat e duhura. LDK kërkon që sa më parë të rikthehet uji tek qytetarët të cilët në këto ditë vape kanë nevojë dhe e kanë primare ujin e pijshëm”, thuhet në reagimin e Zyrës për Informim të degës së LDK-së në Prizren. /Telegrafi/