Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka bërë të ditur se ekipet e saj po vazhdojnë inspektimet për lidhjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit të kësaj kompanie, gjatë muajit shtator janë identifikuar 125 lidhje ilegale në lokacione të ndryshme.
“Aksionet nga ekipet tona të inspektimit do të vazhdojnë me intensitet më të lartë edhe gjatë muajit tetor”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
KRU “Hidroregjioni Jugor” që në muajin janar ka paralajmëruar se gjatë tërë vitit do të angazhohet për zvogëlimin e humbjeve të ujit, duke u bazuar edhe në rregulloren e re të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Kompania ka theksuar se ndalohet shfrytëzimi i paautorizuar i shërbimeve të ujit, duke shtuar se ndaj shkelëve do të merren hapa, si: kthimi i humbjeve të konstatuara sipas rregulloreve, masa ligjore dhe administrative për të rikthyer humbjet, inicimi i procedurave penale kundër shkelësve dhe shkyçje të menjëhershme.
Në të njëjtën kohë ka bërë thirrje që të gjithë konsumatorët t’i legalizojnë lidhjet e tyre, me qëllim të parandalimit të masave ndëshkuese. /Telegrafi/