Telegrafi

“Hidroregjioni Jugor” me instalimin e gjeneratorëve synon përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes  

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” me qëllim të evitimit të problemeve në furnizimin e rregullt me ujë të pijes për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike ka instaluar gjeneratorë në tri vendburime përkatësisht në “Sozi” të Nashecit, në Kojush dhe në “40 burimet” e Prizrenit.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Fadil Berisha ka theksuar se instalimi i këtyre gjeneratorëve do të ndihmojë në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes për të gjithë konsumatorët, raporton Telegrafi.

“Kemi pas probleme të jashtëzakonshme për furnizimin e rregullt të ujit të pijes për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike. Prej sot merr fund ky shqetësim. Kompania me mjetet e saj ka siguruar gjeneratorët, jo vetëm në “Sozi”, por edhe në “40 burimet” dhe në Kojush”, ka thënë Berisha, gjatë vizitës në stacionin e pompave në “Sozi” të Nashecit.

Zëvendës ministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku ka bërë të ditur se ky investim vetanak i kompanisë së ujësjellësit përçon porosinë e duhur te konsumatorët.

“Ky është një rast i mirë për të përcjellë porosinë se tarifat që i paguajnë qytetarët u kthehen atyre me shërbime cilësore prej Kompanisë”, ka deklaruar Mjeku.

Kostoja e këtij investimi vetanak sipas zyrtarëve të KRU “Hidroregjioni Jugor” është 54 mijë euro. /Telegrafi/