Punimet për aftësimin e kaptazhës së burimit të Soziut në Nashec të Prizrenit po vijojnë, kanë bërë të ditur zyrtarët e lartë komunalë. Sipas tyre punimet në projektin e Drejtorisë së Turizmit përkohësisht janë ndërprerë derisa KRU “Hidroregjioni Jugor” ta realizojë sanimin e problemit në këtë pikë.
Drejtori i Turizmit në Komunën e Prizrenit, Ramadan Tarashaj ka ripërsëritur qëndrimin e shprehur nga kryetari Shaqir Totaj se problemi në këtë burim ka qenë i mëhershëm dhe se nuk është shkaktuar nga operatori i kontraktuar nga Komuna.
“Në fakt, ata duhet të na falenderojnë sepse i kemi njoftuar se nga po humb uji. Tashmë kemi një koordinimin me “Hidroregjionin Jugor” dhe presim që brenda dy ditëve të rregullohet ky problem, dhe si rrjedhojë të shtohet kapaciteti i ujit”, ka thënë Tarashaj.
Sipas tij, punimet në projektin që zbatohet nga Drejtoria e Turizimit janë ndërperë dhe ato do të rifillojnë sapo të sanohet problemi në fjalë. “Besoj se pas dy ditësh do të vijojnë edhe punimet në projektin tonë”, ka deklaruar Tarashaj për Telegrafin.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” gjatë fundjavës ka njoftuar se ka përgatitur një projekt për zgjidhje të përkohshme urgjente me qëllim të aftësimit të përkohshëm të kaptazhës së burimit të Soziutnë Nashec.
“Paraprakisht kemi kontaktuar edhe drejtorinë komunale dhe operatorin ekonomik, gjithmonë që të kemi një koordinim të përbashkët për përfundimin e punimeve sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thuhej në njoftimin e “Hidroregjionit Jugor”, duke shtuar se rikthimi i stabilitetit të furnizimit më ujë është prioriteti kryesor.
Lidhur me këtë çështje pat reaguar LVV-ja opozitare, duke akuzuar Komunën se po e rrezikon furnizimin me ujë për 14 fshatra të Hasit. Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, i cili pat theksuar se problemi në këtë pikë ka qenë i mëhershëm.
Në kuadër të projektit të Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Nashec parashihet rregullimi i shtratit të lumit dhe i parkut, vendosja e ulëseve, rregullimi i murit mbrojtës, rehabilitimi i çezmës ekzistuese, rregullimi i shkallëve, shtrimi i kanalizimit dhe i kubëzave të betonit në rrugë, renovimi i urës metalike, rregullimi i gurrës, vendosja e këndit të lojërave për fëmijë, rregullimi i ndriçimit publik, etj. /Telegrafi/