Site icon Telegrafi

Hidrocentralet e kontrabanduara

Pesë ministrat e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në tetorin e vitit 2012, e kishin ngritur dorën për të miratuar shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit për 26.3 milionë euro. Në këtë shitje të aseteve publike janë kontrabanduar hidrocentrale të vogla për të cilat ministrat thonë të mos kenë pasur njohuri se janë aty.

Në listën e aseteve që i janë bartur konsorciumit “Calik & Limak” ishin “përvjedhur” katër hidrocentrale, me një kapacitet të instaluar prej 14 megavateve. Në to, në 6 vjetët e fundit, janë investuar rreth 15 milionë euro. Kostoja e ndërtimit të një megavati shkon deri në 2 milionë euro, shkruan “Koha Ditore”.

Nuk dihet sa është vlera e tregut e hidrocentraleve, por nëse merret një mesatare e mjeteve të investuara në këto hidrocentrale dhe kostos së ndërtimit të tyre të reja del që kanë një vlerë rreth 20 milionë euro.

Prokuroria e Kosovës nuk ka përgjigje kur është pyetur nëse kontrabandimi i këtyre milionëve dhe i pasurisë natyrore të Kosovës tek kompania turke do të trajtohej si vepër penale dhe nëse do të kërkohet përgjegjësi për dëmin e shkaktuar.

Exit mobile version