Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes, ka falënderuar paraardhësin e tij Carlo Ancelotti për “përfshirjen” e tij këtë sezon pasi klubi bavarez ka vulosur titullin e Bundesligës me një fitore 4-1 në Augsburg.
Ancelotti u shkarkua nga posti i trajnerit te Bayerni në fund të shtatorit pas një disfate 3-0 në Ligën e Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain.
Trajneri italian thuhet se humbi mbështetjen e disa lojtarëve kryesorë, me Thomas Muller dhe Arjen Robben midis atyre që flisnin kundër tij në publik.
Heynckes u instalua përfundimisht si zëvendësim i Ancelottit në fillim të tetorit dhe Bayerni nuk është kthyer prapa që prej asaj kohe, duke fituar vazhdimisht në Bundesliga, por edhe Ligën e Kampionëve.
Me fitoren e fundit sot (e shtunë) në Augsburg, Bayerni ka marrë një kryesim prej 20 pikësh në tabelë dhe konfirmon titullin e gjashtë radhazi në Bundesliga.
Por, Heynckes, edhe pse ishte më meritori, ai pranoi edhe kontributin e Ancelottit në skuadrën e tij në fillim të sezonit.
“Dua të dërgoj përshëndetje të veçanta në Itali për Carlo Ancelotti për përfshirjen e tij në këtë dhe ta përgëzoj për këtë titull”, ka thënë fillimisht Heynckes për Sky.
“Unë mendoj se ai është një trajner i madh dhe një person i madh”, përfundoi trajneri gjerman. /Telegrafi/