Site icon Telegrafi

Hetimi i UEFA-s ndaj Skënderbeut – zbulohen shumat e parave

Skënderbeu po heto het për disa ndeshje të vitit të fundit, por dyshimet e mëdha të UEFA-s janë dy takime të luajtura në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës gjatë këtij edicioni.

Bëhet fjalë për ndeshjen Krusaders- Skënderbeu 3-2 dhe Sporting- Skënderbeu 5-1. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije për “Panorama sport” se në dosje janë të përfshira dhe të analizuara disa indicie që kanë ardhur nga kompani bastesh të mbikëqyrura nga Federbet dhe BetRadar.

Mësohet se për një ndeshje janë luajtur rreth 170 mijë paund. Dyshohet se bëhet fjalë për ndeshjen kundër Krusadersit.

Ndërsa shuma tjetër e vendosur në një ndeshje të Skënderbeut që ka tërhequr vëmendjen e kompanive mbikëqyrëse ka qenë afro 300 mijë euro.

Këtu dyshohet se bëhet fjalë për ndeshjen e Skënderbeut me Sportingun. Këto kanë qenë pak a shumë akuzat mbi të cilat Federbet dhe BetRadar ka udhëzuar UEFA-n për të nisur hetimet.

Akuzat e portierit

Menjëherë pas ndeshjes së vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Uefa Champions League në Belfast mes Krusaders dhe Skënderbeut që përfundoi me fitoren e vendësve 3-2, portieri irlandezoverior Shon O’Nill reagoi në profilin e tij në “Twitter”.

“Unë nuk kam parë asnjëherë si ai futboll i 10 minutave të fundit. Nëse s’do të ketë një hetim nga UEFA për këtë takim, atëherë ka diçka që nuk shkon”, pati deklaruar O’Nill.

Sipas tifozëve të Krusaders, pas avantazhit 1-2 të Skënderbeut janë hedhur në një kompani të paidentifikuar në Paris një shumë prej 150 mijë paundësh që takimi do të përfundonte me fitoren e vendësve.

Exit mobile version