Karateisti Herolind Nishevci ka fituar vendin e tretë në kampionatin botëror të karatesë që po mbahet në Linz të Austrisë. Ai në këtë kampionat arriti t’ia sjellë Kosovës medaljen e bronztë.
Herolindi, pasi falënderon të gjithë për mbështetjen deri në suksesin e arritur, shton: “Ndihem krenar që në ditën e anëtarësimit të plotë të Kosovës në WKF u kurorëzova me medalje botërore”, ka shkruar ai në “Facebook”, përcjell “albinfo.ch”.
Për fitoren e arritur e ka përgëzuar edhe kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Fadil Arifi.
“Herolind Nishevci, i treti në botë në karate. Urime, na bëre krenarë. Fitore e bindshme 5:0”, ka thënë Arifi.
Në këtë garë Kosovën e përfaqësuan edhe Alvini, Durimi, Orgesi, Blodini, Valdrini, Elhamiu, Diellza dhe Fortesa, të cilët edhe pse treguan përgatitje të shkëlqyeshme, nuk arritën të rrëmbenin ndonjë medalje.