Intervistoi: Getoarbë Mulliqi
Megjithëse i ri në moshë, Kryeziu nuk dallon nga regjisorët me nam; ai e me filmin e tij, arrin atë që secili regjisor pretendon, të përçojë një tregim, një fat dhe një mesazh. E nga kjo mbetet shpresë, që Heroi i Kryeziut, të jetë fatkeqi i fundit i luftës së pasluftës.
Filmi trajton temën e luftës fillimisht, për të ardhur deri tek lufta e pasluftës, nëpër të cilën kalon Shkambi, i njohur me nofkën Heroi, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Autori Kryeziu, për Telegrafin tregon përvojën gjatë xhirimit të filmit, inspirimin dhe pritjet e tij për filmin.
Luan a mund të na tregoni, se sa kohë ju ka marrë realizimi i filmit HEROI, nga fillimi e deri në fund?
Për realizimin e filmit HEROI, duke e përfshirë këtu procesin e shkruarjes së skenarit, paraproduksionin, xhirimin e deri në finalizimin e punëve, janë tri vite e gjysmë.
Nga jeni inspiruar të shkruani një skenar të tillë?
Fillimisht ishte ideja e përshkrimit të një fenomeni social, nga i cili dëshmohet se karakteri i njeriut transformohet varësisht nga rrethanat shoqërore. E duke u nisur nga ky fakt, na është dashur të gjejmë një shembull ideal të një individi me moral dhe të virtytshëm, i cili bie pre e rrethanave shoqërore, të cilat ndikojnë në ndryshimet e jetës së tij. Pas disa ditëve dëgjova që një ish ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte bërë vetëvrasje në Ferizaj, dhe kjo si pasojë e kushteve të mjerueshme. Dhe pikërisht, këtu nisi gjithçka, për fabulën e filmin tim.
Po, cilat janë pritjet e tuaja për këtë film?
Së pari shpresoj dhe uroj në jetëgjatësinë e filmit HEROI. Pres që ky film të pritet mirë fillimisht nga shikuesit tanë, të krijojë respekt dhe simpati, si vepër autoriale artistike.
A mendoni të konkurroni nëpër festivale?
Secili krijues filmi ka për qëllim fitimin e autoritetit botërisht, në kinematografi. E nga kjo pistë, vijmë tek tregu i rrjeteve kinematografike dhe festivaleve. Megjithëse, ne kemi parakushte, të cilat na sanksionojnë për të marrë këtë rrugë, vullneti jonë ekziston, vetëm na duhet edhe përkrahja institucionale. E nëse e kemi këtë të fundit, besoj që do t’ia dalim.
Në film keni punuar me një staf të specializuar nga kinematografi botërore; siç janë kameramani dhe montazheri i filmit. Çfarë mund të na thoni për këtë përvojë?
Përvoja me njerëz profesional siç janë Roger Simonsz dhe Larry Waxman krijon model autoritativ në profesion, inkurajon disiplinën, dhe përgjegjësinë profesionale. I veçantë në këtë rrafsh është fakti se, para fillimit konkret të bashkëpunimit, kolegët në fjalë kishin ardhur me përshtypjen që Kosova është një vend i pacivilizuar në kuptimin artistik, mirëpo, me zhvillimin e bashkëpunimit, përgatitja jonë profesionale krijoi autoritetin mbi ekipin, e duke arrirë deri tek fitimi i besimit, maksimalisht. E nga kjo, dëshmohet se ne të mangët e kemi përkrahjen dhe financat, sepse për dituri jemi të barabartë.
Sa ka qenë e vështirë puna me një ekip aq të madh, kur dihet se barra kryesore bie mbi juve?
Ekzistojnë modelet e bashkëpunimit dhe hierarkisë profesionale në kinematografi, të cilat e lehtësojnë punën në grup. Mirëpo, puna në ekipe të tilla, pra me njerëz profesionit dhe me një disiplinë të jashtëzakonshme profesionale, e lehtëson skajshmërisht punën. Në rrethana të tilla, jam ndier mjaft komod dhe i relaksuar, pasi që secili e kryente punën e tij, me përgjegjësi maksimale.
A mendoni që ky film do të prek në ndërgjegjen e shikuesve?
Filmi HEROI është krijuar si i tillë; me karakter vetëdijesimi, elemente edukative, informative dhe të trajtuara natyrisht në mënyrë faktike, si nga qasja dramaturgjike edhe nga aspekti regjisorial. Andaj, si i tillë, domosdoshmërisht duhet të ngacmojë ndërgjegjen dhe të ngjalla ndikimin e tij, tek publiku. Filmi HEROI ka një shtrirje të atillë strukturore, i cili krijon një raport ndërlidhës në mes publikut dhe personazheve, duke krijuar një unitet bashkëpunimi, të mishëruar drejt zgjedhjes së problemeve. Andaj, publiku me doemos, do të jetë pjesë përbërëse e filmit dhe do ta përjetojë fatin e personazheve.
Ndërsa, për fund?
Me shpresë që filmi ta gjejë rrugën drejtë vendeve të tjera dhe që ky film t’i hap rrugët ndërkombëtare edhe për projekte të reja. /Telegrafi/