Site icon Telegrafi

Hepatiti B dhe diagnostikimi laboratorik i tij

Dr. Shpresa Huruglica
Specialiste e Biokimisë klinike
tel: 044 413-928

Numri i të infektuarve nga virusi i hepatitit B është shumë i madh, duke përfshirë këtu edhe miliona të sëmurë të cilët janë bartës kronikë te VHB. Mirëpo, që nga viti 1991 Organizata Botërore Shëndetësore ka rekomanduar imunizimin apo ndryshe vaksinimin ndaj virusit të hepatitit B.

Ky imunizim ka filluar të praktikohet në shumë vende dhe tani edhe në vendin tonë, kështu që, tani vërehet një rënie e numrit të të infektuarve me VHB.

Virusi i hepatitit B transmetohet gjatë kontaktit me gjakun e infektuar dhe lëngjet e tjera trupore si pështymë, djersë, lot, sekrecione nazale, spermë dhe sekretin vaginal. Po ashtu infeksioni transmetohet nga nëna e infektuar te fetusi.

Më të rrezikuar nga infeksioni me VHB janë punëtorët shëndetësorë, pacientët që marrin transfuzion, pacientët në dializë, ata që bëjnë akupunkturë, tatuazhe dhe ata që ndajnë shiringat, makinën e rrojës ose furçën e dhëmbëve me një person të infektuar.

Megjithatë, virusi i hepatitit B nuk mund të përhapet gjatë prekjes, përqafimit, gjatë puthjes, kollitjes, teshtimës dhe ushqyerjes me gji. Vlen të përmendet se virusi i hepatitit B është 50 deri në 100 herë më infektues se virusi HIV.

Shenjat klinike

Infeksioni akut me virusin e hepatitit B fillon me shenja të përgjithshme të infeksionit, si humbje e oreksit, nauze, të vjella, dhimbje të trupit, ethe dhe urinim me ngjyrë të errët. Më pas sëmundja përparon me zhvillimin e verdhëzës apo ngjyrosjes së lëkurës dhe sklerave me ngjyrë të verdhë.

Sëmundja zgjatë për disa javë dhe pastaj gradualisht përmirësohet tek shumica e njerëzve të prekur. Tek 1-10% e njerëzve të infektuar me VHB zhvillohet vaskulitis nekrotizues, glomerulonefriti membranor dhe anemi aplastike. Ndërsa janë më të rralla rastet që zhvillojnë hepatit fulminant dhe që përfundojnë me vdekje.

Ngjyrosja e lëkurës dhe sklerave gjatë fazës akute të Hepatiti B

Infeksioni kronik me virusin e hepatitit B në shumicën e rasteve është asimptomatik, por që mund të shoqërohet me një inflamacion kronik të mëlçisë, i cili pas një periudhe kohore prej disa vitesh mund të përfundojë në cirrozë dhe karcinomë të mëlçisë.

Hepatit kronik zhvillojnë më shumë fëmijët që infektohen me VHB nën moshën 6 vjeçare për shkak të sistemit imunitar të dobët për ta luftuar virusin.

Të gjithë pacientët me hepatit kronik duhet të shmangin përdorimin e alkoolit me që rritë edhe më shumë rrezikun e tyre për të zhvilluar cirrozë dhe kancer të mëlçisë.

Ndryshimet në mëlçi te pacientët me hepatit kronik

Diagnostikimi laboratorik

Diagnostikimi laboratorik i hepatitit B bëhet kryesisht me anë të testeve serologjike, ku bëhet përcaktimi i shënjuesve hepatik apo ndryshe të quajtur markerë të hepatitit.

Markerët e hepatitit B janë antigjene virale (proteina që mbështjellin nga jashtë virusin) dhe antitrupa të prodhuar nga organizmi kundër këtyre antigjeneve. Interpretimi i këtyre testeve është i vështirë për t’u kuptuar, jo vetëm për pacientët, por edhe për mjekët që punojnë jashtë reparteve të Infektives dhe laboratorit.

Përveç testeve serologjike në diagnostikimin e hepatit B ndihmojnë edhe përcaktimi i analizave të tjera biokimike, siç janë enzimat ALT, AST, GGT dhe bilirubinat në gjak dhe urinë.

Me anë të testit PCR përcaktohet ADN virale në serumin e pacientit të infektuar me VHB e quajtur ndryshe ngarkesa virale. Edhe pse ngarkesa virale rezulton e rritur qysh para shfaqjes së HBsAg, në qarkullim, ky test pothuajse nuk përdoret në diagnostikimin e infeksionit akut me VHB, por për të vlerësuar gjendjen e pacientit të infektuar dhe për të monitoruar trajtimin.

Markerët e hepatitit B janë: antigjeni sipërfaqësor i virusit të Hepatiti B (HBsAg), HBe antigjeni (HBeAg), HBe antitrupat (HBeAb), Antitrupat kore anti-HBc IgM dhe IgG (HBc IgM Ab dhe HBc IgG Ab), antitrupat sipërfaqësorë të virusit të Hepatiti B (HBsAb), ADN virale, ALT, AST, GGT.

Diagnoza e hepatitit B akut

Antigjeni sipërfaqësor i virusit të Hepatit B (HBsAg) është shënuesi i parë serologjik që shfaqet te i infektuari 1-12 javë pas infektimit dhe zakonisht 2 deri 8 javë para shfaqjes së shenjave klinike dhe rritjes së enzimave ALT dhe AST.

Niveli i HBsAg arrin kulmin gjatë fazës akute të sëmundjes pastaj gradualisht bie dhe zakonisht negativizohet mbas 6 muajsh.

Menjëherë pas shfaqjes së HBsAg, shfaqet një tjetër antigjen i hepatiti B i quajtur HBeAg. Prania e HBeAg në serum është tregues i replikimit viral. Në këtë fazë i sëmuri është shumë infektues pasi që në gjakun e tij ka përqendrime të larta të grimcave virale.

Gjatë rrjedhës normale të infeksionit, HBeAg zhduket dhe menjëherë më pas shfaqen antitrupat ndaj këtij antigjeni HBe antitrupat. Zhdukja e HBeAg dhe shfaqja e antitrupave HBe janë sinjale të rënies së replikimit viral dhe fillimit të shërimit të sëmundjes. Gjatë fazës akute të infeksionit shfaqen edhe antitrupat ndaj proteinës së korës virale anti-HBc IgM dhe më pas ata IgG.

Antitrupat HBc IgM janë poashtu tregues të replikimit viral që ndodh gjate fazës akute dhe me shërimin e të sëmurit ato zhduken (brenda 6 muajve), ndërsa antitrupat HBc IgG qëndrojnë në përqendrime të larta gjatë gjithë jetës dhe janë tregues të infeksionit të kaluar.

Antitrupat sipërfaqësorë te virusit te Hepatiti B (HBsAb) shfaqen në serum pas zhdukjes së HBsAg dhe qëndrojnë të rritur pothuaj gjatë gjithë jetës. Këta antitrupa së bashku me antitrupa kore anti HBc IgG tregojnë shërimin e sëmundjes dhe fitimin e imunitetit.

Antitrupat sipërfaqësorë te virusit te Hepatiti B hasen të ngritur edhe te pacientët që janë vaksinuar kundër VHB, por në këtë rast mungojnë antitrupat kore anti HBc-IgG që na bëjnë të ditur se pacienti është imunizuar dhe nuk ka kaluar infeksion nga VHB.

Ndërsa sa i përket analizave të tjera biokimike, gjatë fazës akute të hepatitit B rriten transaminazat, kryesisht ALT 10 -100 herë mbi vlerat normale dhe me pak AST, bilirubinat dhe enzima GGT .

Markerët e hepatiti gjatë infeksioni akut me VHB

Diagnoza e hepatiti B kronik

Në rast se HBsAg qëndron pozitiv më shume se 6 muaj, atëherë kemi të bëjmë me hepatit kronik apo bartës të hepatitit. Te këta paciente kemi një inflamacion kronik të mëlçisë që shoqërohet me vlera lehtësisht të rritura të ALT, AST dhe GGT.

Sa i përket testeve serologjike, te hepatiti kronik HBsAg vazhdon të jetë pozitiv, HBeAg mund të jetë pozitiv, por në shumicën e rasteve negativizohet, HBe antitupat janë pozitiv, anti HBc IgM negative, ndërsa anti HBc IgG pozitiv.

Antitrupat sipërfaqësorë të virusit te Hepatiti B (HBsAb) janë negativ, por në 10% të rasteve te hepatiti kronik këta antitrupa (HBsAb) rezultojnë pozitiv përkundër HBsAg pozitiv, duke shkaktuar konfuzion gjatë diagnostikimit.

Markerët e hepatitit gjatë infeksionit kronik e VHB

/Telegrafi/

Exit mobile version