Site icon Telegrafi

Helikopteri amerikan Black Hawk rrëzohet gjatë stërvitjes ushtarake të talebanëve, humbin jetën tre persona – publikohen pamjet e rrëzimit

Tre persona humbën jetën dhe pesë tjerë u lënduan, kur një helikopter Black Hawk u rrëzua gjatë një stërvitje ushtarake të talebanëve në Afganistan.

Helikopteri u rrëzua në Kabul për shkak të një “problemi teknik”, kanë bërë të ditur nga ministria e Mbrojtjes që udhëhiqet nga talebanët, transmeton Telegrafi.

Një video amatore shfaq rrëzimin e aeroplanit që po binte me shpejtësi dhe më pas përplaset për tokë.

Pamjet tjera të shpërndara në Twitter,  tregojnë re tymi të zi duke u ngritur në ajër pranë vendi ku është rrëzuar fluturakja.

Përplasja ndodhi kur një ditë më herët tre civilë u plagosën pasi një bombë e vënë në një biçikletë shpërtheu në kryeqytetin afgan.

Autoritetet e atjeshme raportojnë se këto dy incidente nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe se po trajtohen si raste të ndara.

Kujtojmë që me largimin e ushtarëve amerikanë nga Afganistani dhe me ardhjen në pushtet të talebanëve, këta të fundit kishin gjetur një sasi të konsiderueshme të armëve.

E helikopteri i rrëzuar ishte prodhim amerikan i njohur si Black Hawk, që është përdorur nga ushtria amerikane në operacione të shumta nëpër botë. /Telegrafi/

Exit mobile version