Telegrafi

Helikopterët afgan synuan vrasjen e talibanëve, por vranë dy fëmijë

Helikopterët ushtarakë afganë vranë dy fëmijë, të moshës 10 dhe 12 vjeç dhe plagosën të paktën dy fëmijë të tjerë, ndërsa dy janë shënuar të zhdukur.

E gjitha ndodhi në bombardimet e një fshati në lindje të provincës së Ghazni, njoftuan sot zyrtarë të rajonit dhe dëshmitarë okularë.

Luftimet vazhdojnë në një kohë kur përfaqësuesit e qeverisë afgane dhe talibanëve po bisedojnë në Katar për herë të parë në mënyrë që t’i japin fund luftës dekada të gjatë, raportoi AP.

Kreu i Këshillit të Provincës Ghazni, Nesar Ahmad Fakiri, tha sot se helikopterët ushtarakë afganë donin të qëllonin talibanët, por se i goditën gabimisht fëmijët.

Ai shtoi se rebelët arritën të shpëtonin nga fshati pas sulmeve ajrore. Dëshmitarët okularë panë helikopterët teksa goditën xhaminë e fshatit, shkollën dhe ndërtesat e apartamenteve, duke shtuar se dy djem u vranë në një dyqan.

Ata shtojnë se babai i tyre i la vetëm në dyqan ndërsa shkonte për të drekuar në një ceremoni fetare. /Telegrafi/
.