Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka takuar sot kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.
Haziri ka shprehur shqetësimin e tij për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës që pengon lëvizjen e qytetarëve të Kosovës Lindore në Republikën e Kosovës
“Takim vëllazëror me kryetarin e Komunës së Bujanocit, mikun tim Nagip Arifi.
Diskutuam për vazhdimin e bashkëpunimit mes nesh, në veçanti për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Bujanocit e Kosovës Lindore, në kohën e masave anti-Covid-19 në Kosovë.
Vendimi i qeverisë për futjen e vëllezërve tanë të Kosovës Lindore në Republikën e Kosovës duhet të rishikohet në mënyrë urgjente.
E falënderoj mikun tim, Nagip Arifi për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e madh për fuqizimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore!”, tha nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Për masat e fundit të Qeverisë ku për t’u futur në Kosovë kërkohen tri doza të vaksinës anti-COVID, ka pasur reagime të shumta edhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut./Telegrafi/