Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri ka thënë se vlerëson lartë punën e Prokurorisë dhe Policisë për zbardhjen e krimeve monstruoze në Karadakun e Gjilanit.
Ai ka deklaruar se lajmi për aktakuzën e ngritur ndaj të dyshuarve për krime lufte në fshatrat e Gjilanit, i ka gëzuar shumë familje , të cilët kanë pritur për më shumë se 25 vite për ardhjen e drejtësisë në vend.
“Plaga mbyllet, shërohet, por kujtimet nuk harrohen asnjëherë”, ka thënë Lutfi Haziri, në konferencë për medie.
“Vlerësojmë lartë punën e madhe te hetuesve dhe të atij mekanizmi të shtetit, të cilët kanë arritur që t’i zbardhin krimet monstrueze në Karadakun e Gjilanit. Mësuesi Rahim si veteran i arsimit dhe i përkushtuar për lirinë dhe atdheun e tij, është vrarë në mënyrë mizore bashkë me shumë bashkëvendas të asaj ane, që përfshin Llovcën, Inatocin (Kokaj), Pogragjën, Uglarin e fshatrat tjerë. Ata nuk janë vetëm martirë, por janë kontributdhënës të mëdhenj dhe shpirti i tyre bën dritë në lirinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Haziri tutje ka potencuar se shpresojnë që angazhim i organeve të shtetit do të arrijë të i realizojë pritjet e familjeve për drejtësi.